Fabrika për riciklimin e mbeturinave drejt realizimit
Mitrovicë, 8 maj - Kryetar i i Komunës, Agim Bahtiri, ka takuar përfaqësuesit e Kompanisë Amerikane- Suedeze Enviro Power Renevable, Jashar Jashari dhe Shani Hoti, me të cilën më parë ka nënshkruar para kontratë për hapjen e fabrikës më bashkëkohore për riciklimin e mbeturinave, nga e cila do të prodhohet edhe energji prej 12 MGW.
Bahtiri tha se tash procedurat kanë shkuar edhe një hap më tej drejt realizmit të projektit dhe se pasi që Kuvendi Komunal të bëjë përzgjedhjen e parcelës prej 10 ha, do të mund të fillohet me ndërtimin e fabrikës për riciklim mbeturinash.
Jam i kënaqur që ne jemi duke vazhduar më tej në realizmin e këtij projekti madhor, andaj ju njoftoj se kanë mbetur edhe disa procedura ligjore që duhet të përfillen dhe më pas do të caktohet edhe vendi në të cilën do fillohet me ndërtimin e kësaj fabrike, tha ai. Kryetari Bahtiri tha se këtë projekt e ka mbështetur që nga fillimi, pasi nga mbeturinat do të prodhohet energji.
Jashar Jashari, theksoi se Enviro Power Renevable, është e gatshme të filloj më implementimin konkret të projektit dhe se aksionarët e kompanisë janë duke pritur që të kryen procedurat për fillimin e ndërtimit të fabrikës.
Pasi të na jepet toka nga komuna, besojmë që për 13 muaj do të finalizojmë ndërtimin e fabrikës, në të cilën do të investohen 36 milion dollarë dhe që do të punësohen mbi 140 punëtorë, tha ai mes të tjerash.
Sipas investitorëve, kjo fabrikë do të jetë e para e këtij lloji në Kosovë, funksionimi dhe puna e së cilës do të bazohen në praktikat më të mira të riciklimit, si në Suedi, ashtu dhe në vende të tjera ku kjo kompani operon.