Drejtuesi i Tojotës kërkon falje para kongresit amerikan
Uashington, 26 shkurt - Kreu i operacioneve globale të Tojotës bëri një prezantim të veçantë në kongresin amerikan dje ku kërkoi falje për problemet e sigurisë që kanë çuar në tërheqjen e më shumë se tetë milionë e gjysmë makinash për riparime falas.
Akio Toyoda kërkoi ndjesë për problemet me pedalin e gazit që kanë shkaktuar disa raste vdekjesh në Shtetet e Bashkuara dhe premtoi ndryshime të rrënjësishme në mënyrën e ndërtimit të makinave nga Toyoda.
Në dëshminë e shumëpritur para komisionit të kongresit amerikan, Akio Toyoda premtoi të bëjë gjithçka që është e mundur për tu siguruar që difektet e sigurisë që kanë shkaktuar vdekje e disa njerëzve të mos ndodhin përsëri. Duke folur në anglisht, zoti Toyoda kërki falje dhe tha se ai më shumë se çdokush tjetër kërkon që klientët e Tojotës të ndjehen të sigurt.
"Të gjitha makinat e Tojotës mbajnë emrin tim. Për mua kur makinat dëmtohen, është sikur të më ketë ndodhur mua."
Tojoda, nipi i themeluesit të Tojotës, tha se rritja e shpejtë e kompanisë bëri që përparësitë të ishin jo të qarta. Ai premtoi të bëjë çdo gjë që është e mundur për të rikthyer besimin e konsumatorëve dhe për ta bërë Tojotën markën më të sigurtë në botë. Joshimi Inaba, prsidenti dhe drejtuesi operacional për Amerikën e Veriut tha se tërheqja e mbi 8 milion makinave për riparime falas ka bërë që të ketë një rishikim të hollësishëm të masave të kontrollit global të cilësisë së Tojotës.
"Ne do të kërkojmë mendimin e ekspertëve të pavarur për tu siguruar që proceset tona të arrijnë apo të kalojnë standartet e industrisë."
Kryetari i Komisionit për Reformat në Qeveri Edolphus Towns vlerësoi dëshminë e zotit Tojoda por tha se në se makinat do të ishin avionë ato do të hiqeshin nga qarkullimi.
Ligjvënësi republikan John Mica më pas ndëshkoi ekzekutivët e Tojotës për fshehjen e memove të brendshme të kompanisë për të kursyer 100 milionë dollarë pasi negociuan një vonesë në tërheqjen e makinave për riparim.
Ligjvënësja Marcy Kaptur shprehu zhgënjim mbi mënyrën sesi Tojota e trajtoi çështjen e sigurisë dhe ia dedikoi komentet e saj viktimave të aksidenteve të Tojotës.
"Zoti Tojoda, nuk jam e kënaqur nga dëshmia juaj. Po ju flas hapur. Nuk mendoj se ajo reflekton keqardhje të mjaftueshme për ata që kanë humbur jetën."
Anëtarët e komisionit i bënë pyetje të shumta sekretarit të transportit Ray Lahood më parë, duke akuzuar administratën për sigurinë e transportit dhe të autostradave se kanë të njëjtin faj për mos hetimin e ankesave më parë. Zoti Lahood u përpoq të mbronte veprimet e departamentit të tij.
"Ne nuk kemi qëndruar duarlidhur. Kur njerëzit ankohen, ne hetojmë dhe kur ka nevojë për tërheqjen e makinave nga tregu ne veprojmë."
Toyoda fajëson tapetin e këmbëve dhe pedalet e gazit për problemet e rritjes së papritur të shpejtësisë së makinës. Por disa ekspertë thonë se problemet mund të jenë shkaktuar nga difektetet elektronike.
Toyoda thotë se nuk ka gjetur difekte në sistemet elektrike. Zyrtarët e kompanisë thonë se të gjitha informacionet janë ndarë me rregullatorët amerikanë të sigurisë.