Drejtori i Trepçës Ahmet Tmava nuk ka mandat që nga 5 shkurt
Prishtinë, 12 mars - Ministria e Zhvillimit Ekonomi (MZHE) ka deklaruar së mandati i drejtorit të Trepça Sh.A. ka përfunduar me datën 5 shkurt 2018, andaj, cila do letër “dorëheqje”, është tendencioze, jo e sinqertë dhe nuk krijon pasoja juridike.
Ministri Valon Lluka ka thënë së Ministria e Zhvillimit Ekonomik është e obliguar që të respektoj afatet dhe dispozitat ligjore për gjithë secilin udhëheqës të cilës do ndërmarrje publike, pra edhe për ish-Menaxherin e Trepça Sh.A. z.Ahmet Tmava.
"Po ashtu, dëshirojmë të potencojmë se që nga marrja e mandatit Ministri Lluka në muajin Shtator 2017 ka qenë i angazhuar me të gjitha kapacitetet dhe ka trajtuar me prioritet çështjet që kanë të bëjnë me funksionimin dhe administrimin e Trepça Sh.A. si rezultat jemi në fazën përfundimtare të përzgjedhjes së anëtareve të Bordit Mbikëqyrës, të cilët janë të vetmit me kompetencë ekskluzive për përzgjedhjen e stafit menaxherial si dhe marrjes së vendimeve strategjike dhe në interes të ndërmarrjes", ka theksuar ministri Lluka.
Me datën 28 shkurt 2018, ministri Lluka ka pranuar një kërkesë nga ana e ish-menaxherit të Trepça Sh.A. z.Ahmet Tmava, për qasje në bankë, të cilën e ka refuzuar, duke pasur në konsideratë që kërkesa si e tillë është jo e ligjshme dhe e parashtruar nga një ish-menaxher, të cilit i ka përfunduar mandati.
Në këtë drejtim, si dhe duke marrë parasysh interesin e punëtorëve dhe në përgjithësi të afarizmit të ndërmarrjes ka kërkuar që autorizimi për të operuar me paranë e ndërmarrjes të bartet tek personat kompetentë, në përputhje me aktet ligjore në fuqi si dhe praktikën e deritanishme.
"Pretendimet për ndërhyrje të çfarëdo lloji janë të pabaza dhe qartësisht kanë për qëllim keq-informimin e opinionit publik e mbi të gjitha arsyetimin e veprimeve të njëanshme të ish-menaxherit Tmava, i cili pa kurrfarë njoftimi paraprak tek aksionari (në këtë rast Ministria e Zhvillimit Ekonomik), vendos të marrë pjesë në aktivitete, të cilat implikojnë shpenzime financiare për ndërmarrjen e të cilat janë në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi", ka theksuar ai.