Diskutohet zhvillimi i industrisë së rëndë në vend
Prishtinë, 24 korrik - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli me bashkëpunëtorë ka pritur sot në një takim pune drejtuesit e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) dhe përfaqësuesit e Komitetit të Industrive të Rënda, ku u diskutua për zhvillimin e këtij sektori dhe mundësitë e lehtësirave fiskale dhe aplikimit të strategjive të duhura për zhvillim ekonomik, me qëllim të dyfishimit të investimeve.
Në takim, të pranishëm ishin Drejtori Ekzekutiv i OEAK, Arian Zeka, U.d i Drejtorit Menaxhues të Kompleksit Trepça, Halil Çelaj, përfaqësues nga kompania Sharcem, M&Sillos, kompania Llamkos Galvasteel dhe të tjerë përfaqësues.
Kreu i MZHE-së dhe përfaqësuesit e biznesit kanë shqyrtuar mundësinë e themelimit të një Zyre për Shërbime të Shpejta (one-stop-shop) për nevojat e sektorit privat dhe heqjes se ngarkesës doganore për lëndën e parë e cila përdoret në industrinë e rëndë.
Çështje tjetër që është ngritur në takim ishte edhe kosto e transportit dhe gjetja e alternativave më të përshtatshme për import/eksport për prodhuesit vendor, si dhe siguria afatgjate e lëndës së parë për prodhim.