Daimler nën akuzë për dhjetëra milionë dollarë ryshfet
Berlin, 26 mars - Kompania e fuqishme gjermane e prodhimit të makinave, Daimler, dhe tri nëndegë të saj, janë akuzuar dje për pagesë ryshfetesh ndaj një numri të madh qeverish të botës. Këto akuza janë bërë në një gjykatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Daimler, që prodhon makinat Mercedes-Benz, thuhet se i ka bërë pagesat në harkun kohor nga viti 1998 deri në 2008. Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka akuzuar kompaninë për pagimin e dhjetëra milionë dollarëve në formë ryshfeti për zyrtarët e lartë të paktën 22 qeverive të ndryshme të botës, ndër të cilat përfshihej Kina, Rusia, Egjipti dhe Greqia.
Qëllimi i këtyre pagesave ka qenë arritja e bindjes së qeverive përkatëse për blerjen e makinave Daimler në marrëveshje që kishin vlerën e qindra milionë dollarëve. Një nga akuzat bën fjalë se Daimler i ka paguar ryshfete edhe qeverisë së Irakut për sigurimin e shitjes së makinave, duke dhunuar një pjesë të Programit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara Nafta në këmbim të ushqimit.
Një tjetër akuzë është ajo se Daimler i dha një zyrtari në Turkmenistan një makinë të blinduar, me rastin e ditëlindjes së tij për ta inkurajuar dhe nxitur që të ndikonte në lidhjen e një kontrate mes kompanisë dhe qeverisë së Turkmenistanit për shitjen e makinave. Ligji amerikan i ndalon kompanitë që operojnë në tregun amerikan që të bëjnë pagesa ryshfetesh ndaj zyrtarëve të vendeve të tjera.
Sipas disa agjencive lajmesh, Daimler, që është drejtuar nga shefi ekzekutiv, Dieter Zetsche, që nga viti 2006, po përgatitet që të paguajë një gjobë prej 185 milionë dollarësh në favor të Departamentit Amerikan të Drejtësisë dhe Komisionit të Sigurimeve dhe Shkëmbimeve.
Nëse kjo do të ndodhë, atëherë rasti i Daimler do të përbëjë edhe rastin e fundit gjyqësor në lidhje me akuzat për mitëmarrje mes qeverisë amerikane dhe kompanive të huaja që operojnë në Amerikë. Siemens ra dakord që të paguante 1.3 miliardë dollarë për ti dhënë fund gjyqit për korrupsion të hapur në Shtetet e Bashkuara. Daimler, më parë ka bashkëpunuar gjithmonë me hetuesit në rastin e hetimeve të hapura për çështje të ndryshme.