Cilësia e dobët e naftës shkatërron veturat
Prishtinë, 7 maj - Është hera e tretë për një periudhë të shkurtër kohore që Shkëlqim Hysenaj nga Deçani e ka dërguar veturën e tij tek automekaniku. Prishjet, sipas tij, gjithherë kanë dalë se vijnë si pasojë e naftës së dobët.
Për një kohë furnizohesha në Petroll Company nuk jam ndarë aspak i kënaqur dhe kam pasur probleme, tash kam filluar me Hib Petroll, deri më tani nuk kam vërejtur ndonjë problem, të shohim më tutje, ka thënë ai.
Hysenaj mendon se qarkullimi i kësaj nafte jocilësore po vjen pasi që nuk ka kontroll të duhur. Mendoj se nuk ka kontrollim të duhur pasi që kjo cilësi e naftës e cila po na i shkatërron veturat nuk duhet lejuar që të qarkullojë në treg, ka thënë ai.
Ndërsa Butrint Pireva nga Prishtina mendon se dallaveret me tregtinë e naftës janë të shumta.
Jo vetëm që nuk është cilësore por nganjëherë edhe nuk është tamam litër. Se si i bëjnë këto gjëra unë nuk e di vetëm e di që kështu po na shkatërrojnë. Si duket nuk po iu mjafton vetëm çmimi i shtrenjtë por edhe këto dallavere të na i bëjnë. Sigurisht se vërehet kur nuk është nafta cilësore, pasi që mund të harxhohet më shpejt, vërehet në vozitje, në tym të auspuhut e gjëra të tjera, ka thënë Pireva.
Ai ka thënë se ndihet i pafuqishëm që të ndikojë në përmirësimin e kësaj gjendje pasi që është vetëm konsumator.
Ne jemi të pafuqishëm ta ndërrojmë këtë, duhet të ketë më shumë kontroll por si duket pronarët e kompanive janë të lidhur me inspektorët kështu që mbetet ta pësojmë ne konsumatorët që shpeshherë e kemi të domosdoshëm të furnizohem me naftë të tillë, ka thënë ai.
Nga ana tjetër përfaqësues të naftarëve e mohojnë një gjë të tillë. Kryetari i Shoqatës së Naftarëve të Kosovës, Nazmi Bytyqi, ka thënë se cilësia e naftës që importohet në Kosovë i përmbush të gjitha standardet evropiane.
Në bazë të ligjit Kosova i përmbush të gjitha standardet që i ka Evropa për cilësi të naftës, gjithmonë po flas që kontrollohet në rrugët legale, ka thënë ai.
Ndërsa sa i përket importit nga pjesa veriore ku nuk mund të ketë kontroll, Bytyqi ka thënë se mund të jetë jocilësore. Për veriun nuk mund të flas se andej mund të hyjë çfarëdo lloj nafte pasi që nuk ka kontroll dhe mund të përzihet me çkado, ka thënë ai.
Fadil Berjani nga kompania Dilloni Benz ka thënë se nafta që importohet në Kosovë është mjaft cilësore, mirëpo, sipas tij, cilësia e saj prishet pasi që të hyjë në Kosovë.
Në Kosovë nafta është duke u importuar në nivel të lartë të cilësisë mirëpo brenda Kosovës cilësia është duke u prishur. Ka kompani të cilët kanë autorizimin nga Ministria e Tregtisë për vaj solar apo naftë industriale, ka thënë Berjani, duke shtuar se përzierja e naftës industriale me naftë normale e shkatërron atë.
Nafta industriale që, sipas tij, hyn në Kosovë pa akcizë dhe pa doganë është e dëmshme si për konsumatorët ashtu edhe për buxhetin e Kosovës. 12 milionë litra kanë hyrë në vitin 2012 naftë industriale.
Ministria e Tregtisë është duke e prishur tregun, ata duhet të dalin me një qëndrim se kush po sjell naftë industriale dhe kush janë shfrytëzuesit e këtij produkti, ka thënë Berjani.
Ai është ankuar edhe për paratë që ua merr inspeksioni i naftës gjatë marrjes së mostrave për ti dërguar në laborator.
Kjo shumë e parave që shitësit e naftës i paguajnë inspeksionit, sipas tij, është e papranueshme. Në Ministrinë e Tregtisë e kemi bërë një peticion, kemi kërkuar që shpenzimet e mostrave ti marrë përsipër Ministria, për dy mostra që i ka marrë kemi paguar 218 euro. Para gjashtë muajve kemi paguar nga 470 euro tash është 350 euro.\"
\"Në faturën që e kanë lëshuar shkruan shërbimi i mostrimit, transporti i mostrave në laborator, pra i merr 10 litra naftë e benzinë i dërgon në laborator plus merr para. Kjo është e patolerueshme, ka thënë Berjani. Me gjithë insistimin e tyre për të pasur një takim me ndonjë zyrtar të Ministrisë për këtë gjë, Berjani ka thënë se ka qenë e pamundur.
Edhe automekanikët kanë thënë se ka shumë raste që klientët e tyre vijnë me prishte të veturave nga cilësia e dobët e derivateve të naftës.
Sipas Besmir Aliut nga automekanik Besi prishjet më të mëdha ndodhin gjatë stinës së dimrit.
Zakonisht ndodh dimrit, prishjet nuk janë të mëdha, por veturat nuk ndizen për arsye të kualitetit të dobët të derivateve, zakonisht ato me naftë. Nga temperaturat e ulëta nafta po trashet, por arsyeja është krejt te kualiteti i dobët, ka thënë Aliu.
Ndërsa Kreshnik Maloku nga automekaniku Mala ka thënë se prishjet nga cilësia e dobët e naftës ndodhin edhe gjatë verës.
Kemi pasur raste që edhe verës janë prishur makinat nga kualiteti i dobët. Intensiteti i prishjes së veturave është i njëjtë nga nafta, nuk ka kurrfarë përmirësimi. Prishje të mëdha nga nafta kemi një herë në dy-tre muaj, kurse prishje të vogla kemi më shpesh, ka thënë ai.
Me gjithë insistimin e gazetës që të kontaktohet me ndonjërin nga zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë lidhur me kontrollin e cilësisë së naftës, ka qenë e pamundur.
/Zëri/