Cernica pa ujë, me investime 150 mijë euro
Gjilan, 3 maj - Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Pikën e fshatit Cernicë të Gjilanit, në bashkëpunim me Qendrën e këtij qyteti, kanë realizuar një aksion në këtë fshat, duke ngjitur parulla Cernica pa ujë, për të shprehur pakënaqësinë rreth ujësjellësit jo funksional në Cernicë, ngase janë dhënë paret, ndërsa banorët nuk gëzojnë mundësinë për ujë të pijshëm.
Madje, zyrtarët komunalë sipas Vetëvendosjes kohë më parë janë lavdëruar kinse ky projekt është përfunduar dhe ka ujë, ndërsa ka disa vite që janë shpenzuar shumë para, por Cernica nuk ka ujë.
Kryetari i pikës në Cernicë, Arsim Miftari, ka treguar para medieve se vetëm në projektin mbi ujësjellësin në Cernicë, janë investuar 150 mijë euro (bazuar nga buletini zyrtar i komunës Gjilan-Investimet kapitale 2008-2011, ku në faqen 17, numri rendor 25, thuhet se në ndërtimin e 6 000 metrave të rrjetit të ujësjellësit, në fshatin Cernicë janë investuar 150 mijë euro), ndërsa ujë nuk ka.
Aktivisti Miftari theksoi që nëpërmjet këtij aksioni banorët e fshatit kërkojnë që ujësjellësi sa më parë të bëhet funksional dhe të kenë ujë, si një prej kërkesave elementare për jetë.
Po ashtu, ne kërkojmë nga organet e komunës, që të hetohet ky projekt, nëse ka pasur keqpërdorime për këto projekte të ujësjellësit apo jo tha Miftari, duke shtuar se Cernica përveç ujit, ballafaqohet edhe me shumë probleme që rëndojnë jetesën e banorëve: infrastruktura rrugore, kanalizimi, etj.
Cernica ndërlidhet edhe me fshatrat Vrapçiq, Kravaricë dhe Gumnishtë, prandaj zhvillimi i këtij fshati dhe këtyre tri fshatrave janë me rëndësi jetike për lehtësimin e jetesës në këto hapësira.
Komuna e Gjilanit nuk duhet të bëjë këso diskriminimesh në investime, sepse këto investime janë investime për kërkesa elementare për jetë, si çështja e ujit përfundoi komunikatën Miftari pas aksionit.