Bumçi njofton Hoxhen për gazsjellësin Trans Adriatik
Prishtinë, 25 prill - Shefi i diplomacisë shqiptare, Aldo Bumçi, ka zgjedhur Kosovën për të realizuar vizitën e parë zyrtare në rajon, që kur mori këtë detyrë.
Marrëdhëniet mes dy vendeve tona, marrëveshja Kosovë-Serbi, integrimet europiane, e të tjera, ishin temat kryesore të takimit, që ai zhvilloi të mërkurën me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj.
Në emër të qeverisë së Shqipërisë, Bumçi ka përshëndetur marrëveshjen e arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për normalizim të marrëdhënieve, që, sipas tij, hap derën për njohje të reja për Kosovën.
Ndërkohë, ai bëri të ditur se janë duke përgatitur një memorandum, të cilin do tia bëjnë të njohur edhe ministrit Hoxhaj, në lidhje me gazsjellësin Trans Adriatik, ku një element i rëndësishëm i këtij projekti është edhe lidhja nga veriu i Shqipërisë me vendet si Kosova, Mali i Zi, Bosnja dhe Kroacia.
Një element i rëndësishëm i këtij gaz-sjellësi janë edhe degëzimet në veri, pra lidhjet që do të kryhen nga Shqipëria me vendet fqinje si Kosova, Mali i Zi, Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina."
"Ne kemi ndërtuar një memorandum, të cilin do tia bëjmë të njohur edhe ministrit Hoxhaj. Është një mbështetje për projektin dhe, me siguri, për shërbimin e ofrimin e gazit në të gjithë vendet e rajonit, tha Aldo Bumçi, ministër i Jashtëm i Shqipërisë.
Duke folur për problemet tregtare, që kanë ekzistuar më parë, ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, sikur ajo në rastin e patates apo qumështit, sipas ministrit Bumçi, janë ngjarje të izoluara, sepse aktiviteti tregtar është shtatëfishuar mes Kosovës dhe Shqipërisë nga 23 milionë euro në vitin 2006, në 165 milionë euro në vitin 2012.
Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se Shqipëria mbetet partner strategjik i Kosovës, dhe me shpejtësi të dritës po bëhet edhe partner ekonomik, dhe se Rruga e Kombit po ndikon në një gjë të tillë.
Shqipëria është një partner strategjik i Kosovës në rrafshin politik, por është duke u shndërruar me një shpejtësi të dritës në një partner të fuqishëm ekonomik, tha Enver Hoxhaj, ministër i Jashtëm i Kosovës.
Duke u ndalur te çështja e integrimeve europiane, Hoxhaj vlerësoi se Shqipëria mund të jap ndihmë të çmuar për Kosovën, sidomos pasi Komisioni Europian miratoi rekomandimin për vendet anëtare, për të filluar negociatat me Kosovën për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
/top chanel/