Bullgaria përsëri do të prodhojë automobila
Sofje, 24 shkurt - Automobila luksozë tërheqin vëmendjen e kryeqytetasve gjatë muajit të fundit. Kureshtja e kalimtarëve dhe shoferëve është shkaktuar nga modelet e reja të automobilave afër fshatit Bahovica, jo larg qytetit Lloveç.
Më 21 shkurt startoi prodhimi i disa markave të automobilave. Të gjithë specialistët në uzinë janë të rinj dhe kanë kaluar një trajnim special në vetë uzinën.
Në vetë fillimin e prodhimit punonjësit janë rreth 120 veta. Parashikohet që në kuadrin e dy viteve numri i tyre të rritet deri në 2000. 400 prej tyre do të jenë ekspertë nga Gjermania, Japonia, Koreja e Jugut, Kina dhe Italia.
Deri tani janë derdhur investime bullgare dhe kineze për mbi 80 milionë euro. Parashikohet që përmasa e tyre të arrijë 300 milionë euro. Kapaciteti i ndërmarrjes do të jetë 50 mijë automobila në vit. Prodhimi i gatshëm do të eksportohet në katër pikat e horizontit dhe sidomos në vendet evropiane.
Ndërmarrja do të përhapë në treg markën kineze të automobilave Great Wall. Në segmentin e vogël është përfshirë modeli kompakt Voleex C 10 modeli më i kërkuar në Bullgari. Automobili do të kushtojë rreth 16 000 leva (8 mijë euro) dhe do të disponojë të gjitha ekstrat.
Xhipet më të lira Hover do të prodhohen për 28 700 leva (rreth 14 400 euro), kurse çmimet e automjeteve pikap me kabinë të dyfishtë Steed fillojnë nga 24 000 leva (rreth 12 mijë euro) e këtej. Deri në fund të vitit tjetër modelet e montuara tek ne do të jenë pesë. Gjiganti kinez i automobilave Great Wall tashmë ka marrë miratimin për shitje të dy prej modeleve të tij në territorin e BE-së.
Konkurrentë të Bullgarisë në tërheqjen e një prej prodhuesve më të mëdhenj të automobilave në Kinë kanë qenë Rusia, Belgjika dhe Sllovakia.
Belgjika ka dalë nga klasifikimi për shkak të krahut të shtrenjtë të punës dhe tokës së shtrenjtë. Sa për rusët ata kanë kërkuar nja 5000 dollarë për çdo një automobil të prodhuar.
Bullgaria ka dalë përpara Sllovakisë për shkak të tatimeve të saj më të ulëta. Kështu vendi ynë realizon një prej projekteve më të mëdha pas vitit 1989 dhe e rikthen famën e kryeqytetit të industrisë automobilistike bullgare qyteti Lloveç.
Prova e parë për prodhim automobilash tek ne është në vitin 1996. Ja se çfarë tha para Radio Bullgarisë Borisllav Stefanov drejtor ekzekutiv i Agjencisë bullgare të investimeve, i cili gjithashtu ishte i pranishëm në inaugurimin e uzinës:
Kjo është një prej investimeve më të rëndësishme gjatë disa viteve të fundit. Jo vetëm sepse i ringjallë traditat në prodhimin e automobilave, por sepse në kohërat e rënda për investime ky është një projekt, i cili krijon shumë vende pune thotë Borisllav Stefanov. Industria e automobilave është një sektor me prosperitet dhe investimi do të çojë deri në zhvillimin e regjionit dhe të industrisë rreth qytetit Lloveç.