Brenda 3 vjetësh zgjidhet problemi i ujit
Prishtinë, 22 maj - Kompania Ujësjellësi Rajonal (KUR) Prishtina, që furnizon me ujë kryeqytetin dhe shtatë komunat përreth, përballet me vështirësi të shumta të natyrës teknike dhe operative. Borxhet e akumuluara të konsumatorëve gjatë tërë periudhës së pasluftës arrijnë në 35 milionë euro, gjë që e vështirëson operimin me sukses të kompanisë. Për ta rritur shkallën e arkëtimit, zyrtarët e Ujësjellësit, më 15 maj, fillojnë aksionin e shkyçjeve, që do të jetë permanent.
Brenda tre apo katër vjetësh qytetarët e komunës së Prishtinës do të kenë sasi të majftueshme të ujit të pijes. Drejtori i ujësjellësit, Skender Bublaku, thotë se janë duke punuar në tri faza me qeverinë gjermane, përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) dhe Komisionin Evropian (KE). Sipas tij, gjatë fazës së parë, është një projekt prej 8 milionë eurosh, që është donacion i qeverisë gjermane, zbatimi i të cilit në terren, do të fillojë në pjesën e dytë të qershorit. Do të kemi vendosjen e ujëmatësve, ndërrimin e rrjetit, faza e parë është rehabilituese, faza e dytë është më e madhe, në vlerë 17 milionë euro, në bashkëpunim me KE-në dhe qeverinë gjermane, përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), pjesa më e madhe është grant, ndërsa një pjesë kredi, kemi një tjetër projekt me KE-në, që fillon të zbatohet në kryeqytet, ndërrimi i arteries kryesore në vlerë 2 milionë euro, që pritet të fillojë së implementuari në fund të majit.
Ai thotë se me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID-in), kanë në zbatim projektet në komunat Drenas e Lipjan, që gjatë tre vjetëve të ardhshëm, do të bëjë zgjerimin e sistemit të furnizimit me ujë për to dhe do të rrisë cilësinë e ujit. Faza e tretë, që e konsiderojmë fazën e fabrikës së re të ujit. Jam shumë i kujdesshëm ndaj saj, sepse ajo është në proces të bisedave, presim që brenda disa muajve të përcaktohet çdo gjë. Është problemi i investimit të ndërtimit të fabrikës së re të ujit për zgjidhjen afatgjatë të problemit të furnizimit me ujë të Prishtinës, tha ai.
Sipas drejtorit, vlera e këtij projekti është rreth 35 milionë euro, kurse të kyçur në të janë qeveria gjermane, Komisioni Evropian, Komuna e Prishtinës dhe Qeveria e Kosovës bashkë me Ujësjellësin. Fabrika do të ndërtohet në Shkabaj të Obiliqit.
Bashkë me këto institucione, jemi në fazën përfundimtare të bisedave, që shpresoj se do të arrijmë ti konkretizojmë me ndërtimin e një fabrike të ujit, që shpresohet të ndërtohet deri në fund të vitit 2013, apo fillimi i 2014-ës dhe, në këtë mënyrë, të arrijmë ta zgjidhim përfundimisht furnizimin me ujë të kryeqytetit. Ky është një kompleks i madh investimesh, që ne vlerësojmë se e zgjidhin problemin e ujit, ndërsa në komponentët e fazës së parë dhe të dytë ka edhe për ujëra të zeza, për mbrojtjen e burimeve të dy liqeneve, Batllavës dhe Badovcit, kurse Komisioni Evropian tani është duke punuar në studimin e fizibilitetit të ujërave të zeza. Synimi jonë është zgjidhja e problemit të ujit të pijes brenda 3-4 vjetësh, dhe vazhdimi i procesit të trajtimit të ujërave të zezatha ai.
Shkyçjet, të domosdoshme për rritjen e arkëtimit
Synimi i menaxhmentit të kompanisë është zvogëlimi i sasisë së ujit të pafaturuar dhe pagesa e konsumatorëve për shërbimet. Për të rritur shumën e arkëtimit të mjeteve, zyrtarët e kësaj kompanie kanë provuar shumë forma. Të gjithë konsumatorëve ua dërgojnë faturat çdo muaj, tentojnë të lexojnë çdo ujëmatës, vizitojnë ata dy herë në muaj, bëjnë pagesa me para në dorë, që dallon nga vendet tjera ku pagesa bëhet një ose dy herë në vit. Por, meqë rreth 35 për qind e konsumatorëve nuk paguajnë, atëherë duhet të zbatojmë edhe metoda të tjera, në pajtim me ligjin, ndër to është edhe shkyçja e konsumatorëve nga rrjeti i ujësjellësit, qoftë në mënyrë kolektive, apo edhe individuale.
Ai thotë se në shumë raste kanë bërë padi në gjykata, ku vetëm gjatë vitit të kaluar i kanë proceduar rreth dy mijë sosh, por që asnjëra nuk është zgjidhur. Sipas tij, është për keqardhje që nuk e kanë mbështetjen e gjykatave. Njëkohësisht shpjegon se kanë krijuar edhe një task-forcë për përmirësimin e gjendjes në sektorin e ujit, ndaj si masë e fundit, ata zbatojnë shkyçjet. Më 15 maj fillon një aksion i shkyçjes që do të jetë përhershëm. Jemi rreth 12 ekipe që po përgatisim dokumentet përkatëse, por edhe pajisjet që nevojiten për të kryer punën në terren. Ekipet do të jenë pa ndërprerë në terren dhe ne presim që qytetarët të mos e presin kohën kur shkojmë ti shkyçim, por të fillojnë pagesat.
Vetëm në lagjen e Emshirit, zyrtarët e Ujësjellësit kanë shpërndarë rreth 400 vërejtje për shkyçje, ku prej datës 15 do të fillohet në mënyrë intensive. Bublaku nuk dha shifra se cila zonë ka më shumë borxhe, por saktësoi se borxhe kanë të gjitha dhe se nuk do ta përjashtojnë asnjërën, por do të marrin masa ndaj të gjithave pa dallim. Do të mundohemi të bindim qytetarët të paguajnë pa ndërmarrë këto masa ndëshkuese, që edhe për ne janë të mundimshme dhe kanë kosto, por është një prej mekanizmave që ne përfundimisht duhet ta zbatojmë si për rastet individuale, apo kolektive, pohoi Bublaku, duke sqaruar se më pas, në përputhje me ligjin, do të procedohet në gjykata dhe për ri-kyçje do të bëhet pagesa 100 euro.
Ndërtimi i kryeqytetit më i shpejtë sesa i ujësjellësit
Në mungesë të statistikave të sakta, operohet me shifra të përafërta, dhe sipas vlerësimeve ujësjellësi rajonal Prishtina furnizon me ujë të pijshëm rreth 600 mijë banorë. Por, sipas Bublakut, gjatë pesë vjetëve të fundit është vënë re një tendencë rritjeje e numri të banorëve në këtë zonë që e mbulojnë me shërbime të ujit. Sipas shifrave tona nga viti 2005, numri i faturave që ne lëshojmë, gati është dyfishuar. Koncentrimi është i madh sidomos në Prishtinë, qytet dhe rrethinë, ku çdo vit lëshojmë prej 4 mijë deri në 5 mijë fatura të reja, ose 25 mijë deri në 30 mijë banorë me tepër çdo vit. Pra, numri i konsumatorëve, sipas shënimeve që i kemi, sillet rreth 600 mijë, shprehet Bublaku. Kjo është përparësi sepse shtimi i konsumatorëve sjell më shumë të ardhura për kompaninë, por nga ana tjetër rrjeti është i vjetruar dhe shkakton telashe tjera. Përndryshe, një ndër sfidat kryesore për këtë kompani është çështja e arkëtimit të ujit të faturuar. Bublaku sqaron se, aktualisht, shkalla e arkëtimit të mjeteve arrin në rreth 65 për qind, por rreth 35 për qind e konsumatorëve nuk i paguajnë faturat e ujit, ose i paguajnë shumë rrallë ato.
Totali i borxheve të akumuluara nga viti 1999 deri në vitin 2010 është rreth 35 milionë euro. Tendenca është që qytetarëve maksimalisht tiu ofrojmë shërbime më cilësore, në mënyrë që ata të paguajnë, por kemi një kategori konsumatorësh që nuk i janë përgjigjur pagesës, shpjegon Bublaku. Ai iu bën thirrje të gjithë konsumatorëve, që të paguajnë për ujin e shpenzuar, sepse në këtë mënyrë do të përmirësohet më tej cilësia e furnizimit, do të ketë zhvillim më të suksesshëm dhe marrje të donacioneve dhe investimeve, që lidhen kryesisht me vlerën e arkëtuar.
/Ekobiznesi/