BMW 3 Gran Turismo në panairin e veturave në Gjenevë
Gjenevë, 13 shkurt - Prodhuesi i njohur bavarez i veturave edhe zyrtarisht e prezantoi modelin BMW 3 Gran Turismo i cili premierën para publikut të gjerë do ta ketë në panairin e veturave që do të mbahet pas një kohe në Gjenevë.
Modeli e kombinon dinamikën e limuzinës, gjenet sportive dhe praktikën dhe shkathtësinë e një Touring-u.
Edhe pse i ngjan GT serisë 5, disenjatorët deri diku i kanë zbutur linjat, ndërsa bien në sy dhe veçohen rrjeta e përparme, dritaret pa kornizë dhe linja e zgjatur dhe e lakuar e kulmit. Në pjesën e pasme gjenden spojleri aktiv i cili automatikisht ngrihet me rastin e shpejtësisë prej 110 km/h dhe lëshohet me rastin e shpejtësisë prej 70 km/h.
Sikurse edhe modelet tjera të reja nga BMW, GT seria 3 mund të pajisjet me pakot Sport Line, Luxury Line dhe Modern Line, ndërsa këtu është edhe pakoja M Sport e cila shton bod kit më aerodinamik, pezullim sportiv dhe allu-fellnet 18-inç. Ky model është 200 mm më i gjatë dhe 81 mm më i lartë se Touring, ndërsa e ka hapësirën ndërboshtorë më të zgjatur për 110 mm.
Ndryshimet në brendësi janë të pakta, këtu gjejmë ulëse më të ngritura dhe 70 mm hapësirë më të madhe për këmbët e udhëtarëve. Vëllimi i bagazhit përfshin 520 litra dhe mund të rritet në 1.600 litra me palosjen e ulëseve të pasme.
Blerësit në dispozicion do të kenë një numër të madh të motorëve, duke përfshirë motorin turbo 2.0-litra me katërcilindra, TwinPower në versionin me naftë dhe me benzinë i cili zhvillon prej 135 deri në 245 kuaj fuqi dhe 270 Nm deri në 380 Nm të momentit rrotullues.
Me tutje pason motori 3.0 me 6-cilindra i cili i ofron 306 kuaj fuqi dhe 400 Nm. Të gjithë motorët janë të pajisur me ndërruesin manual me gjashtëshpejtësi apo ndërruesin opsional atë automatik me tetëshpejtësi. Nuk dihet ende se kur ky model saktësisht do të del në treg dhe as nuk dihet se sa do të kushtojë.
Në fund duhet përmendur se ky nuk do të jetë modeli i vetëm i cili do të vjen gjatë këtij viti nga ky prodhues, pasi sipas burimeve të afërta me këtë kompani deri në fund të dhjetorit të sivjetmë do të arrijnë së paku edhe dy vetura të reja.