Bizneset e sektorit minerar diskutojnë zgjidhjen e bllokadës
Prishtinë, 10 korrik - Gjatë ditës së sotme në zyret e Odës së Afarizmti të Kosovës janë takuar bizneset e sektorit minerar për të diskutuar hapat e mëtutjeshëm të veprimit me qëllim të zgjidhjes së problemit i cili ka bllokuar tash e sa vite bizneset e tyre.
Kryetari i Bordit të OAK-së, Skender Krasniqi njoftoi bizneset e këtij sektori për takimet që kanë realizuar me zyrtarët qeveritarë, MBPZHR dhe deputetët për problemin e tyre si dhe çështjet e tjera të cilat po rëndojnë bizneset tej mase, siç janë konfliktet ligjore, Udhëzimet Administrative, Ligji për Miniera dhe Minerale, Ligji i Punës, Pushimi i Lehonisë, Ligji për Tregti të Brendshme, funksionalizimi i Gjykatës Ekonomike, Ligji për TVSH, Ligji për Falimentim, mungesa e ofertave për bizneset dhe çështje të tjera të cilat sipas Krasniqit duhet rregulluar urgjent.
Krasniqi inkurajoi bizneset se OAK do të qëndroj prapa tyre, deri në zgjidhjen e problemit që ata të mund të operojnë lirshëm me kompanitë e tyre.
Kujtojmë se në takimin e fundit që ka pasur OAK me Ministren, kabinetin dhe drejtorët e departamenteve të MBPZHR-së janë dakorduar të gjithë se dy pikat e kërkesës dhe peticionit të parashtruar nga Oda e Afarizmit të Kosovës mund të ndryshohen nga MBPZHR, ndërsa pikat tjera duhet të ndryshohen me ligj. Bëhet fjalë për ndryshimin e kohëzgjatjes së licencës dhe çmimin e qirasë.
Bizneset e këtij sektori tanimë janë të vendosur dhe të bashkuar si asnjhërë më parë dhe kërkojnë hapa konkret të veprimit nga institucionet, përndryshe në rast se këto kërkesa nuk merren parasysh, për çka OAK ka punuar pa ndalë me vite për heqjen e këtyre barrierave, atëherë Oda e Afarizmit të Kosovës me bizneset e sektorit minerar do të detyrohen të dalin në protestë.