Balkan Spring përfaqëson prodhuesit artizanalë të Kosovës në SHBA
Washington, 11 shtator - Me ftesë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Balkanspring.com do të jetë prezente në Kampanjën Globale të Ndërmarrjeve Artizanale e cila do të mbahet me 9-10 dhe 11 shtator 2015 në Washington D.C., SHBA, për ti përfaqësuar prodhueset artizanale të Kosovës.
Kjo ngjarje është e organizuar nga Aleanca për Ndërmarrës Artizanalë, e drejtuar nga organizata për studime edukative dhe politike Aspen Institute me bazë në Washington DC dhe e lansuar nga ish-Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, më 2012.
Gjatë kësaj ngjarjeje, Balkanspring, si dyqani i parë dhe i vetëm online në Kosovë që merret me shitjen online të prodhimeve artizanale të grave të Kosovës, do ti prezantojë punët e tyre në ekspozitën e cila do të mbahet në Shtëpinë e Bardhë, me qëllim të krijimit të mundësive për të gjetur bashkëpunëtorë dhe për ti eksportuar produktet vendore në mbarë botën. Kjo është një mundësi e mirë për prodhueset artizanale të Kosovës që të tregojnë cilësinë dhe punët e tyre të mrekullueshme para bizneseve artizanale nga e gjithë bota.
Me këtë ngjarje synohet krijimi i vendeve të reja të punës në Kosovë, rritja e kapacitetit të prodhimit dhe eksportit për kompani të mëdha botërore, rrjetëzimi me biznese tjera, etj..
Në këtë ngjarje, veç pjesëmarrësve ekspozues dhe bizneseve të ndryshme nga e gjithë bota, të pranishëm do të jenë edhe Sekretari i Shtetit John Kerry, Ambasadorë të shumtë nga Departamenti i Shtetit si dhe mysafirë tjerë.
Në ditën e parë (9 shtator), fjalën hapëse do ta mbajë Ambasadorja Cathy Russell nga Zyra për Çështje Globale të Grave në Departamentin Amerikan të Shtetit si dhe Peggy Clark, Drejtore e Aleancës për Ndërmarrje Artizanale.
Më pas, në podium do të ngjitet Ambasadorja Melanne Verveer, Drejtore Ekzekutive e Institutit Georgetown për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, si dhe Anëtare Këshilluese e Bordit të Aleancës, e cila do të diskutojë mbi Krijimin e Vlerës Ekonomike për Ndërmarrëset Gra në Sektorin Artizanal.
Të ftuar tjerë në këtë ngjarje janë edhe Verna Eggleston nga Bloomberg Philanthropies, Reema Nanavarty, Drejtore për Zhvillim Ekonomik dhe Rural (SEWA), Indi, Grace Nelson, Anëtare Këshilluese e Bordit të Aleancës dhe James Pickup, Konsull i Përgjithshëm i Aspen Institute dhe Anëtar Këshillues i Bordit të Aleancës.
Në ditën e dytë kësaj ngjarjeje (10 shtator) prezent do të jetë edhe Sekretari i Shtetit John Kerry i cili do ti takojë të gjithë prodhuesit pjesëmarrës në konference dhe do të flasë për rëndësinë dhe mbështejten që do ta ketë ku sektor.
Poashtu, do të organizohet Forumi Ndërmarrja Artizanale: Forumi i Ri Startup Ekonomik, i cili do të diskutojë mbi platformat kritike dhe partneritetet për të mundësuar bashkëpunimin më të mirë dhe zgjerimin e potencialit të ndërmarrjeve artizanale globalisht ndërmjet qeverive, blerësve, organizatave përkrahëse, artizanëve, akademive dhe arteve dhe konsumatorëve.
Në fund të kësaj dite, mysafirët dhe folësit VIP do të prezantojnë Çmimin Artisan Multimedia Competition Award dhe Çmimin Alliance for Artisan Enterprise Artisan Hero Award.
Ndërkaq, në ditën e tretë dhe të fundit (11 shtator) do të mbahet Punëtoria për Inovacione, ku të ftuar janë Chris van Bergen nga Nest, Jennifer Gootman nga West Elm, Nina Smith nga Goodweave, Jackie Duff nga The Coca-Cola Company, Chase Ballinger dhe Greta Schettler nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Rosine Urujeni nga Indego Africa dhe Despina Papadopoulos nga Far and Wide Collective.
Ky udhëtim u mundësua falë përkrahjes së Departamentit të Shtetit Amerikan dhe Ambasadës Amerikane në Prishtinë.
Aleanca për Ndërmarrës Artizanalë është një përpjekje e përbashkët e mbi 64 anëtarëve, përfshi ndërmarrje të vogla dhe të mesme, korporata, organizata jofitimprurëse dhe individë të cilët punojnë së bashku për promovimin e potencialit të plotë të ndërmarrjeve artizanale në botë. Misioni i Aleancës është të mbështesë fuqinë dhe potencialin e sektorit artizanal, të krijojë vende pune, të rrisë të ardhurat, ta promovojë trashëgiminë kulturore dhe zhvillimin që respekton veçantinë e njerëzve dhe vendit.