23 Dhjetor 2024

Audi SQ5 TDI vjen me motor dizel

Frankfurt, 9 korrik - Prodhuesi gjerman i veturave “Audi”, sapo ka prezantuar modelin e ri SQ5 TDI, një Crossover me performanca të larta, i cili për herë të parë në histori sjell motorin me naftë në modelin S.

Audi ka shfrytëzuar pjesëmarrjen në ngjarjen 24hr La Mans vikendin e kaluar, për të prezantuar mbretin e ri të vijës së rifreskuar të modelit Q5 – Audi SQ5 TDI.

Dizajnerët i kanë kushtuar rëndësi të madhe pamjes së jashtme dhe rezultati është më se i kënaqshëm, pasi kanë arritur të krijojnë vijat tejet tërheqëse, duke prodhuar një konstruksion tejet sportiv dhe tërheqës. Ndoshta detajet më bindëse të stilit, është rrjeta nga platini në pjesën e përparme me shufra të dyfishta me imitim alumini, pastaj spoileri i kulmit dhe mbrojtësit e ridizajnuar.

Elementet e jashtme me shkëlqim të lartë dhe retrovizorët anësorë me imitim alumini, edhe më shumë e theksojnë zonën përreth dritareve. “Audi” blerësve të këtij top-modeli nga vija Q5 Crossover, do t’u ofrojë ngjyrat e karrocerisë me efekt të kristaltë, më saktësisht Estoril Blue dhe Panther Black.

Me amortizatorët sportivë, lartësia e veturës është zvogëluar për 30mm, ndërsa fellnet 20 inç me dizajn me pesë rremësh, vijnë me goma me dimensione 255/45. Në pakon e pajisjeve shtesë, mund të merrni fellne 21 inç.

I zakonshëm për modelet S, interieri i SQ5 gjithashtu vjen në stil luksoz por edhe shumë sportiv. Ulëset me rregullim elektronik vijnë në mënyrë standarde të mbështjella me lëkurë Pearl Nappa në kombinim me Alcantara. Pjesë nga lëkura vijnë edhe në katër ngjyra të tjera, për çka duhet paguar shtesë.

Detajet nga alumini i lëmuar janë pjesë e pajisjeve standarde. Në listën e pajisjeve shtesë vijnë elemente në versionin Carbon Atlas, Piano me shkëlqim të lartë dhe në kombinimin e ri të aluminit dhe drurit Beaufort me ngjyrë të zezë. Instrumentet matëse me ngjyrë gri vijnë me dizajn 3D, derisa matësit janë me ngjyrë të bardhë, ndërsa papuçet për ndërrimin e shpejtësive dhe frenimit, janë me imitim alumini.

Përshtypje shtesë vizuale të pjesës së brendshme jep dorëza e marsheve me dizajn S, pastaj shenjat në pragje, tasti Start si dhe timoni i dizajnuar në mënyrë të posaçme. Me një kapacitet të hapësirës së bagazhit prej 1560 litrave SQ5 TDI i ri, është ideal për vozitës aktiv me mënyrë sportive të jetesës. SQ5 po ashtu është një automjet me fuqi të madhe tërheqëse, me kapacitet deri në 2.4 tonelata.

Motori i fuqishëm TDI me kapacitet 2967cc, përdor konfigurimin ‘Twin-turbo’ në të cilin dy turbo-mbushës janë të lidhur në varg. Elementet teknike siç janë ftohja e kokës së cilindrave, pistonat me ftohjen e tyre me vaj dhe të tjera, janë shpikur në mënyrë të posaçme për këtë koncept me performancë të lartë.

Sistemi ‘Common-rail’ zhvillon 2000 bar presion dhe në secilin cilindër e injekton karburantin deri në tetë herë në çdo takt. Motori TDI 3.0 litërsh Twin-turbo prodhon edhe zhurmë të këndshme, i cili është moduluar në mënyrë të posaçme përmes gypave të gazrave. Me ndihmën e dy turbo-mbushësve, ky motor siguron 313 kuaj fuqi dhe moment rrotullimi prej 650 Nm.

Audi SQ5 TDI përshpejtimin nga 0 në 100 km/h, e arrin për vetëm 5.1 sekonda, derisa shpejtësia maksimale është e kufizuar në 250 km/h. Dhe të gjitha këto karakteristika vijnë me një harxhim tejet të vogël të karburantit, kështu që për 100 kilometra të kaluara, harxhimet nuk e tejkalojnë shifrën prej 7.2 litrave.

Transmisioni shumë i shpejtë Tiptronic me 8 shpejtësi dhe sistemi i tërheqjes Quattro në të katër rrotat me sistemin Torque Vectoring, forca e tërheqjes së këtij motori të fuqishëm, shpërndahet në mënyrë të barabartë në të gjitha rrotat. Edhe timoni servo elektro-mekanik, gjithashtu është tejet i ndjeshëm dhe i saktë. Audi SQ5 TDI në sallonet e shitjes arrin në fillim të vitit 2013 me një çmim fillestar prej 58.500 eurove.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)