Audi Sport Quattro vjen me drita laserike Matrix
Frankfurt, 3 janar - Kompania gjermane Audi ka zbuluar planet për prezantimin e konceptit të ri Sport Quattro me drita laser, që pritet të bëjë bujë në panairin e veturave në Las Vegas.
Sipas njohësve të botës së automobilizmit, kjo veturë ngjason shumë me konceptin Sport quattro që është prezantuar vitin e kaluar në Frankfurt.
Ajo çfarë pritet të zgjoj kureshtje më shumë tek adhuruesit e kësaj marke, janë dritat LED matrix që funksionojnë me laser dhe që ndriçojnë rrugën në një distance mbi 500 metra largësi, por që në asnjë moment nuk e verbon apo pengon ngasësin e veturës tjetër që vjen nga kahja e kundërt.
Kjo veturë posedon fuqi të madhe motorike, falë sistemit twin-turbo me 4.0 litra V8 dhe një elektromotori që në total prodhon plot 700 kuaj fuqi apo 515 KW.
Këto performansa i mundësojnë kësaj veturë të ushtroj shpejtësinë nga 0-100 km/h për vetëm 3.7 sekonda, derisa ajo maksimale është e kufizuar në mënyrë elektronike në 305 km/h.