Audi Q7 i ri arrin në verën e ardhshme
Frankfurt, 1 qershor - Modeli aktual Audi Q7 zyrtarisht është prezantuar në vitin 2005 në panairin e veturave në Frankfurt dhe me tashmë 8 vjet mbi supe është plak i vërtetë në tregun e automobilave.
Në kohën e tij kjo makinë është konsideruar shumë moderne, dhe është modeli i parë i Audi-së i pajisur me sistemin e detektimit të objekteve në këndin e vdekur.
Megjithatë, teknologjia e prodhuesit gjerman në ndërkohë është përparuar dukshëm dhe së bashku me këtë edhe SUV-ët e tij të fuqishëm.
Siç bëjnë të ditur burime të caktuara, modeli i ri Audi Q7 do të duhet të prezantohet në verën e vitit 2014.
Do të bazohet në platformën e re të cilën do ta ndajë me gjeneratën e re të VW Touareg-it, ndërsa do të peshojë madje 300 kilogramë më pak se paraardhësi i tij.
Një burim i afërt me kompaninë e zbuloi se Q7 edhe më tutje do të prodhohet në Bratislavë.