Audi parashikon një vit të vështirë në 2012
Frankfurt, 30 dhjetor - Drejtori Ekzekutiv i prodhuesit gjerman të veturave, Audi, Rupert Stadler parashikon që viti 2012 të jetë më i vështirë se ky vit që po mbyllet.
Por ai shton se prodhuesit e auto-veturave nuk duhet të jenë pesimistë pasi në 10 vitet e ardhshme ka hapësirë për rritje të industrisë, si pasojë e kërkesës së pafundme të ekonomive në zhvillim për mjete të transportit personal.
Ai thotë se tregu kinez i veturave do të rritet midis 8 deri në 9% në çdo vit, ndërsa në segmentin e veturave më të shitura, rritja do të jetë midis 20 dhe 30% në vit.
Në ndryshim nga rivalët e tjerë të Gjermanisë, BMW dhe Daimler Mercedes, Audi është lideri në tregun kinez të veturave të luksit dhe në programin e kompanisë synohet që Audi të jetë makina më e shitur në Kinë në vitin 2015.
Këtë synim Audi e ka edhe për tregun në Shtetet e Bashkuara, ku shiten deri në 2 milionë vetura luksi në vit.
Në Shtetet e Bashkuara, Audi renditet pas BMW dhe Mercedes. Kompania planifikon që të hapë një fabrikë të prodhimit të modeleve luksoze në Amerikën e Veriut.