Audi A9, do të ndryshojë ngjyrat
Valencia, 17 gusht - Dizenjuesi spanjoll, Daniel Garcia ka projektuar imazhin e një Audi sportive me katër dyer, për linjën e Audi-t.
Tipari më i veçantë i saj do të jetë aftësia për të riparuar dëmet e makinës dhe ndryshimi i ngjyrave.
Garcia dizajnoi konceptin e makinës Audi A9, si një zëvendësim i mundshëm i modelit të tanishëm A8 të Audi-t.
Koncepti A9 ishte dizajnuar duke përdorur stilet dizajnuese të veturës së tanishme të Audi, duke bërë kështu veturën tejet luksoze dhe sportive, të gatshme për të garuar me Porsche Panamera, Aston Martin Rapide dhe Lamborghini Estoque.
Dizajneri tha se krijimi i tij u inspirua nga dizajni i Santiago Calatrava i shfaqur në ndërtesat e tij në Qytetin e Arteve dhe të Shkencës që është në fshatin e Garcias në Valencia.
Tipari më i mahnitshëm i makinës është pjesa e vetme xham-çati e cila do të projektohet duke përdorur një material nga nanoteknologjia, ende të pazbuluar aktualisht.
Ky material do të lejojë makinën që të riparojë automatikisht ndonjë dëm të saj, si dhe të ndryshojë ngjyrën në të dyja drejtimet.