Audi A3 MPV së shpejti në treg
Frankfurt, 17 gusht - Deklaratat më të reja na bëjnë të kuptojmë se shefat e Audi-së janë marrë vesh dhe janë pajtuar për zhvillimin e MPV-së të bazuar në modelin A3. Automobili i ri do të mund të merrte emrin V4, dhe sipas burimeve të afërta me këtë kompani, ky model do ta shfrytëzojë platformën MQB.
Audi tashmë e ka prodhuar versionin koncept të këtij modeli, por ende nuk ka vendosur a do ta prezantojë në muajin e ardhëm në panairin e veturave që do të mbahet në Frankfurt. Versioni serik do të duhet të paraqitej në tri vitet e ardhme.
Versioni MPV i modelit A3 është paralajmëruar që në verën e kaluar kur shefi i atëhershëm i Audi-së për shitje dhe marketing, Peter Schwarzenbauer, kishte deklaruar se automobili do të shfrytëzojë versionin e zgjatur të platformës MQB dhe do të ketë në dispozicion një motorikë të pasur të cilët do ta përbëjnë motori 1.8-litra TFSI me 180 kuaj-fuqi, motori 2.0-litra me forcën prej 222 KF dhe motori 2.0-litra TDI me 141, përkatësisht me 175 KF.
Në plan është edhe versioni hibrid i pajisur me motorin 1.4-litra TFSI që i ka 148 KF dhe me elektromotorin prej 107 KF, por për tani ende nuk dihet saktësisht se a do të prodhohet ky version, pra ai hibrid. Parashikojmë që më shumë informacione për këtë veturë do të publikohen me rastin e premierës së konceptit që pritet sipas të gjitha gjasave të ndodhë në Frankfurt.