Asnjë ndërtim pa leje nuk do të tolerohet
Prishtinë, 30 maj - Drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Prishtinës ka intervenuar sot, më 30 maj, në një objekt të ndërtuar në lagjen Mati 1, rruga Ahmeti Gashi.
Objekti në fjalë kishte tejkalim të lejes për disa kate, dhe Drejtoria e Inspeksionit kohë më parë kishte bërë rrënimin e pjesës së ndërtuar pas 30 gushtit të vitit 2013, meqë katet tjera të ndërtuara pa leje kanë të drejtë ti nënshtrohen procesit të legalizimit.
Përveç që ka ndërtuar sërish në të njëjtën vend, ku mund të shihen gërmadhat e rrënimit të kaluar, ndërtuesi ka vendosur shtyllat në vende të tjera, duke e rrezikuar edhe më shumë qëndrueshmërinë e objektit.
Me këtë rast, kompania e kontraktuar nga Komuna e Prishtinës ka nisur sot që ta rrënojë për të dytën herë pjesën e ndërtuar pa leje, pas 30 gushtit, në të njëjtin objekt.
Komuna e Prishtinës u bën thirrje të gjithëve që të mos e bëjnë as edhe më të voglin investim pa leje, për shkak se në secilin rast do të intervenohet, konform ligjit.