24 Dhjetor 2024

Arbnor Murati, arkitekti shqiptar që theu kufijtë e imagjinatës

Prishtinë, 6 korrik - “Java arkitektonike në Prishtinë” ka mbledhur shumë dashamirë të arkitekturës. Interesimi sidomos nga ana e studentëve ka qenë e lartë.

Ata kishin një arsye jo të vogël që të marrin pjesë në punëtoritë ku ligjëronin arkitektë të njohur, e sidomos kur në mesin e ligjëruesve ndodhej një prej arkitektëve shqiptarë më të suksesshëm në mbarë botën.

Arbnor Murati ndau përvojën dhe “sekretet” e suksesit të tij bashkë me arkitektët e ardhshëm, studentët, të cilët kishin ardhur të dëgjonin më shumë rreth punës së tij.

32 vjecari Arbnor Murati,  studioi arkitekturë në Politeknikun Federal (ETH) të Zyrihut dhe në Akademinë e Arkitekturës në Mendrisio. Në vitin 2009 hapi studion e tij në Morkote, ndërsa në vitin 2012 zgjerohet në Lugano.

Në vitin 2011 Arbnor Murati, fiton vendin e parë, në mes të 125 studiove pjesëmarrëse në konkursin prestigjioz ndërkombëtar për realizimin e Kampusit universitar USI/SUPSI të Luganos. Momentalisht ai është i angazhuar në projekte të ndryshme në Zvicër dhe Botë.

Ligjëruesi i cili ndau përvojën e tij me studentët e arkitekturës në Prishtinë, njihet si një arkitekt kritik antikonformist, ku të menduarit përmes intelektit, dhe jo ndjenjave, është bazë për projektet e tija. Ai është fituesi I projektit për një Kampus madhështor Universitar.

Me se 100 kompani do t’ia mësynin garës që projekti për objektin që shtrihet në 30 mijë metra katrorë të mbante firmën e tyre. E projektues i tij është arkitekti kosovar, Arbnor Murati.

Në konkursin që po përgatitej prej dhjetë vjetësh në Lugano të Zvicrës, për ndërtimin e Kampusit Universitar dhe shkollës profesionale, do të paraqiteshin 125 firma projektuese të interesuara, nga e gjithë bota. “Arbnor Murati Morcote” njëherë do të futej në top dhjetëshe, e më pas do të përzgjidhej si fitues. E krijuar vetëm dy vjet më parë, nga arkitekti i ri kosovar, ajo do të shokonte gjithë “kastën” e arkitektëve në zë.

Vetë Murati detyrën që ka marrë e përshkruan si “shumë të vështirë”, ani pse nuk i trembet syri kur e mendon se do t’i hyjë ta zbatojë. Për ndërtimin e objektit që ai ka projektuar do të shpenzohet një buxhet 9-shifrorë.

Kompania e Muratit do të ketë 3 vjet e gjysmë kohë që të projektojë, të zgjedh firmat zbatuese dhe vetë të mbikëqyrë çdo detaj, ashtu siç e ka paraparë vetë ai, në cilësinë e kryearkitektit.

Më parë ai ka projektuar vila prototip, që gjenden në Zvicër, Spanjë e Portugali. Për suksesin e shpejtë, që ka arritur vetëm brenda dy vjetësh, Murati pa modesti i ka dhënë një vlerësim.

“Të them të drejtën është abnormale. Ose thënë ndryshe është një lloj mrekullie. Zakonisht këtë e bëjnë arkitektët me 40-45 vjet”, ka thënë ai. Sipas tij, kjo ka shokuar arkitektët e tjerë, e në radhë të parë profesorët e tij të cilët janë emra botërorë. Por një gjë e ka emocionuar.

Arbnor Murati do të shkonte në Zvicër në fillim të viteve ’90. Shkollën fillore dhe atë të mesmen do t’i kryente atje, sikur edhe studimet. Ka qenë shteti helvetik ai që i ka çelur rrugë kosovarit.

Ai do të pranohej të ligjërojë në degën e arkitekturës në Universitetin të Prishtinës, por bashkëpunimi nuk do të zgjaste shumë. Arsyet nuk janë vështirë për t’u supozuar, mirëpo kësaj radhe, përkundër vështirësive të bashkëpunimit me Universitetin e Prishtinës, studentët e arkitekturës kanë pasur mundësi të ndjekin ligjëratat e tij falë organizimit të “Javës arkitektonike në Prishtinë”.

Murati, i cili pohon se është “i martuar” me këtë profesion shprehet se kjo është e vetmja gjë që di ta bëj jashtëzakonisht mirë dhe se ndjehet I përmbushur kur projekton.

Madje, është në gjendje që të rrijë me orë të tëra palëvizur në dhomën e tij të punës kur vendos që t’i jep trajtë një projekti të ri.

 “Njeriu duhet të çlirohet prej komplekseve, prej frikës dhe shablloneve të tij. Për shembull, fëmijës duhet dhënë vetëm dashurinë, idetë ai duhet t’i krijojë vetë. Se pastaj do t’i duhet shumë kohë që të çlirohet prej tyre”, ka bindjen Murati.

Mbase ky është edhe çelësi i suksesit për ata studentë që do të arrijnë ta kuptojnë drejtë mesazhin e këtij arkitekti i cili I theu kufijtë e suksesit në një moshë shumë të re.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)