Aksionet e "Gazprom"-it bien 27 për qind
Moskë, 1 korrik - Kompania ruse e energjisë Gazprom ka humbur më shumë se një të katërtën e vlerës së saj të tregut pasi vendosi të mos paguajë dividentën, për herë të parë që nga viti 1998.
Aksionet e kompanisë ranë deri në 27 për qind pasi aksionarët njoftuan në mbledhjen vjetore se votuan kundër pagesës së dividentëve për vitin 2021.
Zëvendësi i drejtorit ekzekutiv të Gazprom-it, Famil Sadygov tha se aksionarët kanë vendosur që pagesa e dividentëve për vitin 2021 nuk rekomandohet në situatën aktuale.
Ai vuri në dukje se Gazprom do të fokusohet në furnizimin me gaz në disa rajone në Rusi, duke u përgatitur për dimër dhe duke paguar taksa të rritura.
Bordi i drejtorëve të Gazprom-it rekomandoi dividentë rekord prej 52.53 rubla për aksion në maj për shkak të rritjes së çmimeve të gazit.
Gazprom është kompania më e madhe ruse, eksploatuesi më i madh i gazit natyror në botë dhe një nga kompanitë më të mëdha në botë.