AKB-ja prezantoi projektin Javët e Biznesit Kosovar 2011
Prishtinë, 19 shtator - Udhëheqësit e Aleancës Kosovare të Bizneseve dhe disa prodhues, prezantuan projektin Javët e Biznesit Kosovar 2011, i cili do të mbahet nga 26 shtatori deri më 1 tetor.
Agim Shahini, kryetar, tha se ky aktivitet, është i rëndësishëm pasi fokusi i AKB-së janë qytetarët e Kosovës dhe bizneset vendore. Sipas tij kjo javë kërkon mbështetjen e gjithsecilit.
Ekonomia vendëse pas vendosjes së masave të reciprocitetit njohu një rritje të mirë, por tani jemi rikthyer në një periudhë ku bizneset e Kosovës gjenden sërish në udhëkryq si pasojë e heqjes së këtyre masave dhe respektimit të një anshëm të marrëveshjes nga Serbia, tha Agim Shahini.
Ai shtoi se në udhëkryq nuk janë vetëm bizneset, por jemi të gjithë ne dhe sipas tij është koha kur nacionalizmi ekonomik duhet të jetë në nivelet më të larta, për të mbrojtur prodhimet tona. Është vitale që qytetarët e Kosovës të tregohen të matur, andaj edhe AKB-ja ka zgjedhur sloganin unë konsumoj prodhime vendore. Po ju?
Kreu i AKB-së tha se përgjigja që qytetarët do ti japin kësaj pyetje do të jetë me rëndësi të madhe për të ardhmen e tyre. Konsumimi i prodhimeve vendore do të thotë më shumë të ardhura në buxhetin e Kosovës dhe jo atë të shteteve të huaja. Zgjedhja juaj është jetike për konsolidimin e buxhetit të Kosovës, për jetën tuaj.
Pasi edhe ju të thoni Po për konsumim të mallit vendor, do të kemi më shumë mundësi për të kërkuar rritje pagash, pensione më të larta si dhe cilësi në arsim e shëndetësi, tha Agim Shahini.
Sipas tij është jetike për biznesin vendas dhe për të ardhmen e fëmijëve që të përgjigjeni me Po ndaj pyetjes se a konsumoni prodhime vendore. Aleanca Kosovare e Bizneseve, kërkon vetëdijësim më të madh, nacionalizëm ekonomik tek të gjithë qytetarët e Kosovës, në mënyrë që ti bëjmë ballë sfidave dhe të konsolidojmë shtetin tonë.
AKB-ja, organizon për të nëntën herë Javën e Biznesit Kosovar, për tju sjellë më afër prodhuesve dhe për tju treguar nga më afër cilësinë dhe rëndësinë e mallit që prodhohet në Kosovë.
Gjatë javës së biznesit të gjithë ju do të keni mundësi të përfitoni edhe nga ofertat e kompanive tona, të cilat kanë ofruar me bujari ulje çmimesh dhe oferta të ndryshme, tha Agim Shahini. Ai shtoi se është momenti që të tregoni nëse edhe Ju konsumoni prodhime vendore, pasi tradita vazhdon, e tradita flet për mbështetje të biznesit vendor dhe konsum të prodhimit vendor.
Shahini theksoi se: Aleanca Kosovare e Biznesit, duke nisur nga data 26 shtator e deri me datën 1 tetor do të mundohet të sjellë bizneset vendore në qytetet tuaja për tu prezantuar prodhimet e Kosovës dhe për tu dëgjuar teksa edhe ju përgjigjeni me Po. Edhe unë konsumoj prodhime vendëse.
Aleanca Kosovare e Bizneseve, falënderoi kryeministrin e Kosovës Z. Hashim Thaçi, që këtë projekt e ka nën patronatin e tij dhe në mbështetje të këtij aktivitet, MZHE-në, MTI-në, MEF, MPMS, kuvendet komunale shkollat dhe universitetet si dhe mediat që po përçojnë këtë mesazh për vetëdijësim në Javën e Biznesit Kosovar 2011.
Nga ana tjetër zëvendës ministri i Zhvillimit Ekonomik, Ramadan Hasani, tha se AKB-ja me formën më të mirë të mundshme po mundohet që të jetë një shtyllë e zhvillimit ekonomik që po bënë qeveria e Kosovës dhe në këtë rast posaçërisht MZHE-ja.
Ne jemi këtu për të përkrahur në këtë formë që ekonomia të krijoi kushte që biznesi kosovar të krijoi një bazament të zhvillimit të tij të ecjes përpara dhe që kjo ndihmë nuk do të mungoi asnjëherë nga institucionet qeveritare. Falënderojmë të gjithë ata që po mundohen që ekonomia jonë ta marrë të mbarën, tha zëvendës ministri Ramadan Hasani.
Sipas tij MZHE-ja në bashkëpunim me AKB-në ka vendosur që kësaj here shumë seriozisht ti qaset javëve të biznesit dhe do ti japë ndihmë shumë serioze. Ai kërkoi që prodhimet e huaja të jenë më të pakta në vend, ndërsa të jenë më të shumta prodhimet vendëse
Ndërsa Znj. Lumnije Ajdini - Menaxhere e AKB-se prezantoi Programin e Javës se Biznesit Kosovar 2011, ku i informoi për aktivitetet te cilat do te mbahen nga data 26 shtator-01 tetor 2011, ne 5 regjionet e Kosovës.
Muharrem Osmani, pronar i detergjenteve likuide Eurocomerc,tha se konsumatorët vendës po konsumojnë prodhimet e Kosovës dhe tashmë ata janë të njohur për cilësinë dhe nuk do ti blejnë prodhimet nga Serbia.
Burim kuraja, menaxher nga fabrika e qumështit, kafes dhe lëngjeve Devolli Group, inkurajoi konsumatorët që edhe më shumë të konsumojnë prodhimet vendëse të cilat investime do të ndikojnë në rritën ekonomike.
Bashkim Osmani, pronar i fabrikës së lëngjeve Laberion-Dona, tha se si prodhues po bëjnë përpjekje maksimale për ngritje të cilësisë dhe kualitetit dhe se po mundohen që të jenë sa më afër konsumatorit të vendit tonë me prodhimet që tashmë janë të njohura.
Sylejman Konushevci, nga fabrika e vajit Interkompani, tha se janë shumë të kënaqur që konsumatorët e vendit po konsumojnë me të madhe prodhimet e Kosovës,gjë për të cilën i falënderoi dhe kërkoi që tash mos ti konsumojnë prodhimet serbe të cilat po rikthehen në treg.