Ahmet Tmava, drejtor i ri i ndërmarrjes Trepça
Prishtinë, 31 janar - Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbajti mbledhjen e rregullt dhe diskutoi për një varg çështjesh që lidhen me aktivitetet e Agjencisë dhe zhvillimet e fundit përsa i përket procesit të privatizimit në përputhje me mandatin ligjor që ka.
Gjatë kësaj mbledhje, Bordi, pas një procesi konkurrues të zhvilluar nga Agjencia dhe intervistimeve të realizuara nga Komisioni Intervistues, nominoi Ahmet Tmava drejtor të ri të ndërmarrjes Trepça nën administrimin e AKP-së.
Ndërkaq përsa i përket procesit për zgjedhjen e drejtorit menaxhues të Agjencisë, duke marrë parasysh interesimin e shprehur të Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri gjatë vizitës së bërë në Agjenci dhe mirëkuptimin e treguar për domosdoshmërinë e kompletimit të Bordit, dhe duke shpresuar se do të lëvizet shpejt në drejtim të kompletimit të Bordit, u vendos që të shtyhet marrja e vendimit lidhur me pozitën e hapur të drejtorit menaxhues derisa të kompletohet Bordi edhe me anëtarët që mungojnë dhe më pas do të jetë Bordi me përbërjen e plotë që do të emëroj drejtorin e ri menaxhues të Agjencisë.
Bordi miratoi një numër të ofertave të pranuara për shitjet përmes Likuidimit nr. 23, ndërkaq aprovoi Valën 60 të Privatizimit ku janë përfshirë një numër i madh i ndërmarrjeve të reja, kryesisht toka bujqësore të vlerësuara më atraktive dhe shpresohet se do të ketë interesim të shtuar të investitorëve për privatizimin e tyre.
Kjo paraqet edhe valën e fundit të privatizimit me ndërmarrje të reja, kurse Agjencia do të vazhdojë me privatizimin përmes shitjes së aseteve të ndërmarrjeve në likuidim, ndërkohë që do të organizojë edhe shitje individuale për ndërmarrje më të rëndësishme përmes tenderëve të veçantë.
Bordi i Drejtorëve i AKP-së miratoi listën e punëtorëve përsa i përket 20% për Ndërmarrjen Shoqërore Emin Duraku, me gjithsej 729 punëtorë përfitues.
Gjithashtu, në këtë takim anëtarëve të Bordit iu prezantua nga ana e menaxhmentit raporti për shpërndarje përfundimtare për KB Mushtishti, që gjendet në Suharekë, si dhe raporti përfundimtar për NSh pa asete dhe kërkesa kreditore Ruzhdi Bytyqi, që gjendet në qytetin e Vushtrisë.
Mbledhja e ardhshme e Bordit të Drejtorëve të AKP-së do të mbahet në fund të muajit shkurt të këtij viti.