77.000 pjesëmarrës mblodhën më shumë se 10.000 tonë mbeturina
Prishtinë, 25 maj - Në takimin përmbyllës të iniciativës Ta Pastrojmë Kosovën, Koordinatori i iniciativës Ta Pastrojmë Kosovën, Luan Hasanaj, tha se aksioni i djeshëm është pritur mirë dhe ka kaluar pa ndonjë ekces, megjithatë ai përmendi numrin e vogël të qytetarëve që iu kanë përgjigjur ftesës.
Shfirat të cilat i posedonte, treguan se gjatë ditës së djeshme morën pjesë rreth 77.000 pjesëmarrës dhe u mblodhën më shumë se 10.000 tonë mbeturina.
Ai falenderoi grupet e organizuara të nxënësve, OJQve e institucioneve dhe tha se data 24 e secilit muaj të ardhshëm do të jetë ditë pastrimi për ato vende që nuk janë arritur të pastrohen dje.
Po ashtu dje në Kuvend u miratua edhe Ligji për Mbeturina, ligj i cili parasheh ripërdorimin dhe riciklimin e mbeturinave për produkte dytësore, siç është ripërdorimi i tyre si burim të energjisë.
Ambasadori norvegjez, Jan Braathu e cilësoi iniciativën shumë të nevojshme për Kosovën, duke përmendur edhe qëllimin e saj të vetëdijësimit të të rinjëve rreth mbeturinave.
Ai tha se gjatë ditës së djeshme, së bashku me një grup studentësh nga Norvegjia, të cilët udhëtuan pikërisht për të marrë pjesë në këtë iniciativë, pastruan Janjevën. Ai shprehu përkrahjen e tij për nisma të ngjashme në të ardhmen.