44 katëshja nuk mbaron në afat, shtyhet edhe 4 vjet
Prishtinë, 22 qershor - Objekti më i lartë në kryeqytet e në rajon, 44-katëshja që filloi të ndërtohet në vitin 2008, nuk është gati tani në vitin 2014, kur investitori ENK GROUP e kishte dhënë si afat raporton 038 në KTV.
Jo që nuk është i përfunduar, por në pjesën ku thuhej se do të prekte qiellin, objekti ende nuk ka dalë mbi dhe. Sipas Arjan Hanës, menaxher në ENK, problemet nëntokësore ishin ato që i vonuan punimet.
Kjo, sipas tij, sidomos me faktin që 7 kate tashmë janë ndërtuar nën tokë dhe për largimin e dheut, ku u gropua 300 metra, dhe vendosjen e digave për siguri deri tani janë investuar 50 milionë euro nga 250 milionë sa do të kushtojë tërë projekti.
Përveç kësaj, për punët e deritashme ata i kanë paguar 3.3 milionë euro, derisa për të vazhduar tutje sipas drejtorit të urbanizmit në Prishtinë,Liburn Aliu ata ende nuk kanë aplikuar për leje.
Në ENK kanë thënë se në gusht dorëzojnë kërkesën për vazhdim të lejes dhe fillojnë punimet, të cilat përfundojnë pas 4 vjetësh.