329 369 tonë mbeturina të grumbulluara në deponitë e Kosovës
Prishtinë, 28 tetor - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Mbeturinave të Trajtuara (AMT) për vitin 2015.
Qëllimi kryesor për realizimin e AMT 2015, është: grumbullimi i të dhënave statistikore nga kompanitë, që merren me menaxhimin e mbeturinave të trajtuara; të sigurojë të dhëna statistikore të qëndrueshme; dhe të krijojë seritë kohore.
Rezultatet e prezantuara në këtë publikim ofrojnë një burim të rëndësishëm statistikor për gjendjen e tanishme të këtij sektori.
Rezultatet e AMT 2015 tregojnë se mbeturinat e gjeneruara nga kompanitë, që e bëjnë riciklimin e mbeturinave janë: Inputi gjithsej 19 107 tonë, ose 34%; outputi gjithsej 19 090 tonë, ose 34%; eksporti gjithsej 16 791 tonë, ose 29%; Mbeturinat e trajtuara në vend, gjithsej 1 799 tonë, ose 3%.
Si mbeturina, që grumbullohen nga kompanitë, që merren me riciklim të mbeturinave, dhe pastaj që eksportohen, përqindjen më të lartë e kanë metali dhe plastika, ku metali është 85.6% dhe plastika 13.6%.
Sasia e mbeturinave të grumbulluara në deponitë e Kosovës sipas AMT 2015 është 329 369 tonë.