Zyra Kombëtare e Auditimit nis auditimin e performancës në KEK
Prishtinë, 14 dhjetor - Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) me temën “Prokurimi në Korporatën Energjetike të Kosovës (2018-2020)”.
Fokus kryesor i auditimit janë aktivitetet e prokurimit, përmes së cilave janë shpenzuar shuma të konsiderueshme të parave.
Në fakt, KEK-u është organizata me pjesëmarrjen më të madhe në prokurim publik në Kosovë.
ZKA thekson se përmes tenderëve publik, gjatë viteve 2018-2020, KEK-u kishte lidhur 1,060 kontrata me vlerë të përgjithshme prej 181.5 milionë euro.
"Aktivitetet e prokurimit në KEK, sikurse në çdo autoritet tjetër kontraktues, duhet të zhvillohen në pajtim me parimet e ekonomisë, efikasitetit dhe trajtimit të barabartë, parime të sanksionuara me ligjin e prokurimit publik, që kanë për qëllim të sigurojnë se prokurimi për mallra, shërbime dhe punë e arrin qëllimin e përcaktuar", thotë ZKA.
Duke qenë shoqëri aksionare 100% në pronësi të Republikës së Kosovës, aktivitetet e KEK-ut janë interes publik prandaj Zyra Kombëtare e Auditimit ka vendosur që t'i bëhet një vlerësim i përgjithshëm i performancës së KEK-ut nga aspekti i prokurimit.
Objektivi i këtij auditimi sipas ZKA-së është të vlerësojë nëse gjatë viteve 2018-2020, KEK-u ka arritur objektivat e paracaktuara të prokurimit dhe nëse po, a i ka arritur duke kombinuar burimet në mënyrën më të mirë të mundshme.
Fushëveprimi i auditimit të performancës përfshin kontratat e prokurimit të lidhura gjatë viteve 2018-2020 me fokus të veçantë në kontratat e lidhura përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, vlera e të cilave arrin afër 33 milion euro, që përfaqëson 18% të vlerës totale të kontratave të lidhura nga KEK-u në këtë periudhë.
Nga këto, kemi përzgjedhur gjithsej 108 kontrata në vlerë 7.75 milion euro për t'i audituar.
Edhe kontratat e lidhura me procedurë të hapur janë pjesë e fushëveprimit nga të cilat 55 milion euro (39 kontrata) do të auditohen. Nga to gjashtë janë kontrata për punë, 33 kontrata të tjera janë kontrata për furnizim.
Auditimi synon t’i trajtojë çështjet në vijim: Identifikimin e nevojave dhe planifikimin e prokurimit; Hartimin e specifikimit teknik; Parashtrimin e kërkesave të përshtatshmërisë profesionale dhe teknike; Menaxhimin e kontratave dhe Vlerësimin që KEK-u i ka bërë proceseve të prokurimit.
Ky auditim synon të rris llogaridhënien, transparencën dhe integritetin e aktiviteteve të prokurimit publik në Korporatën Energjetike të Kosovës dhe aty ku është e nevojshme të ofroj rekomandime që fondet publike të shfrytëzohen në mënyrë më efektive dhe efikase.