Zvicrra jep 10 milion franga për sektorin e energjisë në Kosovë
Prishtinë, 14 dhjetor - Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, ministrja e Energjisë dhe Minierave , Justina Shikora- Pula dhe ambasadori zviceran në Prishtinë, Lukas Berliger, sot kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit të amandamentuar për Projektin e Trafostacionit të Gjilanit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Zvicrës.
Pas nënshkrimit të këtij Memorandumi të Mirëkuptimit, ministri i Ekonomisë dhe Financave Ahmet Shala, i është falënderuar shtetit dhe popullit zviceran për ndihmën e vazhdueshme për shtetin e Kosovës.
Ashtu siç ka qenë e planifikuar ne nënshkruam amandamentimin e një marrëveshje që është nënshkruar në vitin 2008 për financimin e projekteve në sektorin e energjisë. Ky amandamentim përfshinë një shumë prej 10.2 milionë franga zvicerane të cilat do të implementohen në zonën e Gjilanit për të përmirësuar sektorin e energjisë, ka thënë ministri Shala.
Ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka Pula e ka cilësuar këtë projekt si shumë të rëndësishëm për rajonin e Gjilanit.
Kemi të bëjmë me një projekt shumë të rëndësishëm për rehabilitimin e infrastrukturës në sektorin e energjisë, në ndërtimin e nënstacionit Gjilani 5. Ky nuk është i vetmi projekt që kemi bashkëpunuar me shtetin zviceran, ne kemi edhe shumë projekte tjera në proces të cilat mendojmë që në të ardhmen që do ti realizojmë.
Ndërsa , ambasadori zviceran në Prishtinë, Lukas Berliger tha se ky projekt është vazhdimësi e përpjekjeve të qeverisë zvicerane për të kontribuar në përmirësimin e infrastrukturës, por edhe të shërbimeve në fushën e energjisë dhe ujit.
Për tu kontribuar këtyre përpjekjeve qeveria zvicerane pret nga akterët e tjerë që edhe ata të marrin pjesë në këto projekte, në mënyrë që të sigurohet që problemi i sektorit të energjisë mos të mbetet problem për Kosovën.