ZRrE të veprojë si organ i Kuvendit, e jo si zyre e KEDS/KESKO
Prishtinë, 28 prill - Grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i udhëhequr nga deputeti Glauk Konjufca, organizoi sot tryezë me temën Çmimi i energjisë problemet dhe parregullsitë masat që duhen marrë.
Kjo temë është me rëndësi të veçantë për të gjithë, meqë është problematikë që e prek çdo familje në Kosovë, për shkak se çmimi i energjisë elektrike ka impakt të drejtpërdrejt në mirëqenien sociale të secilit qytetar.
E ky çmim në Kosovë, nga viti 2012, ka pasur rritje të vazhdueshme. Vendimi i ZRrE-së e rriti sipas kërkesës së kompanisë private KEDS/KESKO çmimin e energjisë elektrike 2 herë brenda vitit për të gjithë qytetarët e Kosovës gjatë 2014.
z. Naim Hoxha nga Komiteti i Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Energjetikë, foli për çmimin e energjisë elektrike si dhe koston. Duke folur për humbjet e lejuara, ai tha se nga viti 2006, lakorja e humbjeve shkon prej 48%; në vitin 2014 shkon në 33.5%, që i bie se çdo 1/3 kw për orë është komepnzim për manipulim.
Çdo konsumator që paguan sot energji elektrike, paguan dënimin/taksën në tolerancë për atë që nuk do të paguaj energjinë.
Këtu flitet edhe për borxhin e madh që vjen nga pjesa veriore e Kosovës. Me çfarë të drejte ZRrE-ja e lejon KEDS-in të na e faturojë neve energjinë që e ka konsumuar dikush tjetër? tha z. Hoxha. Ai ndër të tjera foli edhe për koston e mirëmbajtjes dhe të eksploatimit, duke thënë se avaria që ka ndodhur vitin e kaluar në Kosovën A, nuk ishte e rastit, pasi që 2-3 orë më herët ka rënë një bllok për shkak të azotit dhe nuk është analizuar se pse ka ndodhur një gjë e tillë.
Kryetari i VETËVENDOSJE!-s, z. Visar Ymeri, që njëherësh është nënkryetar i Komisionit të Kuvendit të Kosovës për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, foli për përgjegjësitë e ZRrE-së rreth vendimeve për rritjen e çmimit. Me ligj parashihet që ZRrE të jetë organ i pavarur.
Përgjegjësitë kryesore të saj janë mirëmbajtja e sistemit në përgjithësi, mirëmbajtja e raportit në mes të këtij sistemi dhe kompanive individuale që funksionojnë në këtë sistem, si dhe mirëmbajtjen e marrëdhënies që ka konsumatori i fundit me sistemin, theksoi Ymeri, duke shtuar se vendimet e fundit të ZRrE-së, përveç që nuk janë në kuadër të këtyre përgjegjësive, bien edhe ndesh me to. Trajtimi i energjisë elektrike vetëm si mall për shitje, e jo edhe si infrastrukturë në ekonomi, po ju shkakton problem edhe vetë bizneseve prodhuese, sepse sa më e lartë fatura e energjisë që duhet paguar, aq më pak konkurrentë po bëhen ata në treg. Në formë kumulative, çmimi i energjisë elektrike është rritur për 27.7% nga viti 2007, u shpreh Ymeri.
Gjatë vjeshtës së vitit të kaluar rrjeti i organizatave KOSID organizoi peticionin qytetar për ta shfuqizuar vendimin për rritje të çmimit të energjisë elektrike. Visar Azemi nga kjo organizatë tha se ky peticion i nënshkruar nga rreth 33.000 qytetarë, ende nuk është marrë parasysh nga institucionet. Kërkesa e parë e këtij peticioni ishte që të shfuqizohet ai vendim që shkonte në dëm të qytetarëve të Kosovës. Kërkesa e dytë ka qenë dorëheqja e Bordit të ZRrE-së, si një organ që në asnjë moment nuk ka mbrojtur interesat tona. Ky peticion është dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, por Kuvendi ende nuk është në gjendje të debatojë për hallin e qytetarëve të vet, të cilëve padrejtësisht iu bë rritje e dyfishtë e çmimit të energjisë elektrike, theksoi Azemi.
Më pas u hap debati mes pjesëmarrësve të tjerë në këtë tryezë, që ishin deputetë, përfaqësues të KEK-ut, KOSTT-it, ZRrE-së, si dhe ekpsertë të tjerë të fushës. Debat të gjatë pati mes të pranishmëve dhe përfaqësuesit të ZRrE-së, e cila zyrë, përgjatë diskutimit, më shumë dukej si zyrë e kontabilitetit të kompanisë private KEDS/KESKO, duke tentuar tia maksimizojë fitimin, sesa si Zyrë e Rregullatorit të Energjisë që do duhej të mbronte interesin e qytetarëve duke mos i rritur çmimet.
Grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! do të vazhdojë të këmbëngulë në shfuqizimin e këtij vendimi të ZRrE-së si dhe në shkarkimin e Bordit të ZRrE-së, ashtu që kjo zyrë ta kryejë detyrën e vetë si organ i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbrojtje të interesit të qytetarëve karshi abuzimeve nga kompanitë monopolistike.