ZRRE shtyn afatin e daljes në tregun e lirë të konsumatorëve 10kV dhe 35kV
Prishtinë, 28 mars - Në Seancën e katërt për këtë vit, të mbajtur sot me 28 mars 2019, Bordi i Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka marrë vendim të amandamentojë Udhëzuesin për Liberalizimin e Tregut, duke zgjatur afatin e kalimit të konsumatorëve të kyçur në nivelin e tensionit 10kV dhe 35kV edhe për një vit deri me 31 mars 2020 për konsumatorët e kyçur në nivelin e tensionit 35 kV dhe deri me 31 Mars 2021 për konsumatorët e kyçur në nivelin e tensionit 10 kV.
Ky vendim është marrë pas kërkesave të shumta të konsumatorëve dhe odave që përfaqësojnë interesat e tyre si dhe me rekomandim të Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal.
Bordi i ZRRE duke parë se hapja e Tregut nuk ka rrjedhur sipas parashikimeve fillestare të Udhëzuesit, vendosi që përmes shtyrjes së afatit të krijojë hapësirë për konsumatorët që të përgatiten më mirë për daljen në treg të lirë dhe gjetjen e furnizuesve të rinj.
Gjithashtu në këtë Seancë Bordi ka aprovuar përshtatjet e rregullta vjetore për të Hyrat e Lejuara Maksimale (HLM) për vitin tarifor 2019 për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (OST/OT-KOSTT), Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH-KEDS) dhe Furnizuesin me Shërbim Universal (FSHU-KESCO).
Bazuar në këto të hyra operatorët do të aplikojnë për tarifat e reja të shërbimeve të Transmetimit, Shpërndarjes dhe Furnizimit Universal të energjisë elektrike.
Bordi po ashtu ka trajtuar edhe çështjen e projekteve të shoqërisë Kelkos Energy Sh.P.K., në lidhje me projektet e Hidrocentraleve (HC) Belaja, Deçani dhe Lumbardhi II, për çka ka vendosur që për HC Belaja dhe HC Deçan të jepet një afat prej 90 ditë për kompletimin e dokumentacionit me lejet përkatëse ambientale.
Përderisa për HC Lumbardhi II ka kërkuar që të ndërpritet operimi dhe KOSTT të shkyç nga rrjeti këtë HC deri në përmbushjen e kushteve të licencimit.
Si pjesë e kësaj çështje është shqyrtuar edhe kërkesa e kompanisë për modifikim të kapacitetit instalues të HC Lumbardhi II nga 5.5kW në 6.2kW për çka Bordi me shumicë votash ka vendosur të aprovoi kërkesën e kompanisë.
Pjesë e shqyrtimit dhe aprovimit nga Bordi ka qenë edhe kërkesa e shoqërisë “HYDRO LINE” SH.P.K., për shtyrje të afatit të vlefshmërisë së Vendimit për Autorizim, me qëllim të vazhdimit të punimeve për finalizimin e Projektit HC “Albaniku 1” dhe HC “Albaniku 4”, që pritet të ndërtohen në komunën e Mitrovicës.
Po ashtu, Bordi ka shqyrtuar edhe disa ankesa të konsumatorëve dhe apelime të operatorëve ndaj vendimeve të Departamentit për Mbrojtje të Konsumatorëve.