ZRRE publikon për diskutim raportin për të hyrat e lejuara për Termokosin
Prishtinë, 7 tetor - Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar të gjitha palët e interesuara se ka publikuar për diskutim publik Raportin Rregullativ për përcaktimin e të Hyrave Maksimale të Lejuara për ngrohtoren e qytetit Termokos Sh.A për sezonin 2021/2022.
Raporti paraqet shqyrtimin e kërkesës dhe vlerësimin preliminar për të Hyrat e Lejuara për sezonin 2021/2022 të ndërmarrjes Termokos Sh.A dhe nuk paraqet vendim përfundimtar të Bordit të ZRRE.
Raporti është përgatitur bazuar në Rregullën për Vendosjen e Çmimeve të Energjisë Termike, përmes të cilës përcaktohen procedurat për dorëzimin, shqyrtimin e aplikacionit tarifor dhe aprovimin e tarifave, si dhe metodologjia për llogaritjen e të hyrave të lejuara dhe tarifave.
"Përderisa sektori i energjisë termike në transportimin dhe shpërndarjen e energjisë termike klasifikohet si monopol i natyrshëm, dhe për arsye se gjithashtu në gjenerim dhe furnizim ende nuk ekziston konkurrenca, atëherë tarifat e ngrohjes qendrore, që i përmbajnë të gjitha komponentët e lartpërmendura, i nënshtrohen përcaktimit - miratimit nga ZRRE-ja."
"Brenda kompetencave dhe obligimeve të veta ligjore, Zyra e Rregullatorit për Energji ka nxjerrë Rregullën për Vendosjen e Çmimeve të Energjisë Termike. Rregulla përcakton procedurat për dorëzimin, shqyrtimin e aplikacionit tarifor dhe aprovimin e tarifave, si dhe Metodologjinë për llogaritjen e të hyrave të lejuara dhe tarifave", thuhet në njoftimin e ZRRE-së.
ZRRE fton të gjitha palët e interesuara që komentet e tyre për Raportin Konsultativ t’i dërgojnë deri me 22 tetor.