ZRRE paralajmëron shtrenjtim të rrymës për amvisëritë
Prishtinë, 17 janar - Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka paralajmëruar se shtrenjtimi i energjisë që pritet të ndodhë këtë vit do të jetë i papërballueshëm për një pjesë të konsumatorëve të amvisërisë.
Ky institucion i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të sigurojë mbështetje shtesë të targetuar financiare për të mbështetur konsumatorët të cilët nuk janë në gjendje të përballojnë shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Ftesa drejtuar Qeverisë është pjesë e raportit konsultativ për shqyrtimin e shtatë tarifor të publikuar nga ZRRE-ja, që është një vlerësim i përkohshëm për të hyrat maksimale të lejuara për KEK-un, KOSTT-in dhe Distribucionit e Furnizimit, shkruan Koha Ditore.
Në përgjithësi ZRRE-ja ka propozuar që të hyrat maksimale të lejuara për kompanitë energjetike (KEK, KOSTT, dhe Distribucionin e Furnizimit) të jenë më të larta për rreth 11 për qind për vitin 2013.
Ndërkaq ekspertet e ekonomisë alarmojnë se rritja e çmimit të energjisë elektrike si dhe çdo rritje eventuale do të dëmtojë rëndë konsumatorin, pasi sipas, tyre kjo ngritje është e papërballueshme për xhepin e qytetarëve.
Ekspertët kanë thënë se me rritjen e çmimit të rrymës përveç që vështirësohet jeta e qytetarëve mund edhe të shpërthejnë pakënaqësi sociale.
Lumir Abdixhiku nga instituti Riinvest konsideron se çdo rritje e çmimeve përballë stagnimit në rritjen e të ardhurave paraqet një goditje të rëndë për çdo qytetar, veçanërisht kur kjo rritje e çmimit bëhet në një produkt gjithëpërfshirës siç është energjia elektrike.
Kosovarët në 4-5 vitet e fundit kanë përjetuar rritje mesatare të çmimeve për plot 25 për qind, pra një normë e inflacionit jashtëzakonisht e rëndë, prandaj them se vendi ynë ka nevoje për produktivitet, vende të punës e rritje të fuqisë blerëse e jo për rënie të saj, ka thënë Abdixhiku për Telegrafin.
Selatin Kaçaniku nga shoqata Konsumatori thotë se rritja e çmimit të energjisë është refleksion i periodave vjetore, që po varfëron qytetarët. KEK-u është duke e varfëruar xhepin e konsumatorit çdo ditë e më shumë nuk po krijon me konsumatorin marrëdhënie partneriteti po e ka shndërruar konsumatorin në një mjet eksperimentues duke mos marrë parasysh nevojat dhe kërkesat e qytetarëve, ka thënë Kaçaniku.
Sipas tij, KEK-u shpesh e ngrit çmimin e energjisë me arsyetimin se edhe vendet e rajonit janë dukë e bërë të njëjtën gjë, mirëpo KEK-u nuk plotëson as për së afërmi standardet e kërkuara. Edhe herën e fundit presioni prej qytetarëve ka ndikuar që në vitet 2010 dhe 2011 që zyra e rregullatorit të ulë dukshëm çmimin e energjisë.
Kaçaniku thotë se presioni do të jetë i vazhdueshëm dhe i pandërprerë për uljen e tarifave të energjisë.