ZRRE obligon KEDS-in që të kompensojë konsumatorët për pagesat që kanë kryer për grupet matëse
Prishtinë, 27 nëntor - Bordi i Rregullatorit për Energji, sot me 27 nëntor 2019, ka mbajtur seancën e tij të dhjetë (X) për këtë vit.
Ndër pikat e para të Rendit të Ditës Bordit ka miratuar kërkesën e Ngrohtores së Qytetit të Gjakovës për shndërrimin e Autorizimit Preliminar në Autorizim Final për ndërtimit të kapaciteteve gjeneruese nga Biomasa me kapacitet të instaluar prej 1.2 MW.
Gjithashtu Bordi, pas shqyrtimit të kërkesës, ka marrë vendim që tarifat e ngrohjes qendrore të Ndërmarrjes së qytetit të Gjakovës “Ngrohtorja e Qytetit” për sezonin 2019-2020 të mbesin të njëjta me ato të vitit të kaluar deri në shqyrtimin e ardhshëm tarifor.
Bordi ka miratuar edhe Amendamentimin e Marrëveshjes për Shitblerje të Energjisë Termike në mes KEK Gjenerimi dhe NQ Termokos.
Në këtë seancë është shqyrtuar kërkesa e shoqërisë “ SOWI KOSOVO” L.L.C. për shtyrje të afatit të vlefshmërisë të Autorizimit Final për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese nga turbinat e Erës, për projektet Wind Park SELAC 1, 2 dhe 3 me kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 103.41 MW, në komunën e Mitrovicës.
Edhe pse afati për përfundimin e ndërtimit të projektit zgajt deri në qershor të vitit të ardhshëm, për shkak të kërkesave nga financuesi, të mbështetura në specifikat e terrenit ku do te ndërtohet projekti, Bordi ka vendosur që bazuar në kushtet e Rregullës për Procedurën e Autorizimit për Ndërtimin e Kapaciteteve të reja gjeneruese, sipas të cilës është lëshuar autorizimi aktual, të lejohet shtyrja e afatit edhe për dy vite.
Bordi gjithashtu ka miratuar kërkesat për autorizimet për ndërtim të kapaciteteve të reja gjeneruese për vet konsum nga energjia solare për katër projekte të ndryshme në një kapacitet të përgjithshëm prej 171 kW.
Bordi i ZRRE-së, ka analizuar edhe kërkesën e shoqërisë “Matkos Group” SH.P.K. për shtyrje të afatit të vlefshmërisë të Autorizimit Final, për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese për prodhimin e energjisë elektrike nga uji, në Lumin Lepenc HC Viça me kapacitet të instaluar prej 4.6 MW, në Komunën e Shtërpcës.
Pas vlerësimit të fakteve që kanë dëshmuar se për shkak pengesave të paraqitura jashtë kontrollit së investitorit dhe të kompleksitetit të ndërtimit të Hidrocentraleve, Bordi ka vendosur që të lejohet shtyrja e afatit të vlefshmërisë së Autorizimit Final edhe për një afat shtesë prej 4 (katër) muajsh.
Bordi ka shqyrtuar komentet e KEDS dhe KESCO në lidhje me njoftimin për mos-pajtueshmëri ndaj raporteve të monitorimit të investimet kapitale dhe monitorimit të ofrimeve te shërbimeve për konsumatorë.
Bordi ka vendosur që të obligojë të licencuarin (KEDS) të zbatojnë nenin 11 të Licencës së OSSH dhe po ashtu ka obliguar KEDS-in që të kompensojë konsumatorët për pagesat që kanë kryer për grupet matëse.
Po ashtu Bordi ka miratuar Programin e Pajtueshmërisë së Operatorit të sistemit të Transmisionit (KOSTT) dhe Tregut. Program i Pajtueshmërisë përshkruan programin e masave që KOSTT do të ndërmarrë për të siguruar operimin e pavarur të rrjetit të transmetimit të Kosovës dhe pajtueshmërinë me vendimin përfundimtar për certifikim, të nxjerrë nga Rregullatori.
Pjesë e shqyrtimit të Bordit, në këtë Seancë ka qenë edhe Mekanizmi i mbështetjes për caqet e BRE-ve për 20 MW të energjisë solare, për të cilat Bordi me shumicë votash ka vendosur që tarifa mbështetëse për këto kapacitete të jetë 85.5 euro për MW.
Në takim janë shqyrtuar edhe disa ankesa të konsumatorëve si dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me Rregullimin e sektorit dhe menaxhimin e ZRRE. Të gjitha vendimet e Bordit të ZRRE do të publikohen në faqen zyrtare www.ero-ks.org .