ZRRE miraton shqyrtimin e ankesave të konsumatorëve për Termokos
Prishtinë, 27 gusht - Bordi i Rregullatorit për Energji ka mbajtur sot seancën e tij të gjashtë (VI) me radhë për këtë vit.
Në këtë seancë Bordi ka miratuar Procedurën për shqyrtimin e ankesave dhe kërkesave të konsumatorëve, të përgatitur nga Ndërmarrja Publike (NP) “Termokos” Sh.A. në Prishtinë.
Kjo procedurë është përgatitur në përputhje me obligimin e përcaktuar në nenin 6.3 të Rregullës për Zgjidhjen e Ankesave dhe Kontesteve në Sektorin e Energjisë, dhe përcakton veprimet që duhet ndërmarrë NP “Termokos” lidhur me zgjidhjen e ankesave të parashtruara të konsumatorëve ndaj shërbimit të furnizimit me energji termike (ngrohje qendrore).
Gjithashtu, në këtë seancë, Bordi i ZRRE ka shqyrtuar Raportin e monitorimit të NP Termokos Sh.a. ku janë paraqitur në formë të përmbledhur informatat dhe të dhënat e monitorimit të kësaj ndërmarrje për realizimet në sezonin 2019/2020. Raporti i monitorimit do të jetë i qasshëm për publikun në faqen e internetit të ZRRE.
Pjesë e shqyrtimit nga Bordi, në këtë seancë kanë qenë kërkesat e gjashtë (6) konsumatorëve për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese për vet-konsum të energjisë elektrike nga panelet solare.
Kapacitetet e lejuara, bazuar në kërkesat e këtyre konsumatorëve, janë në një total prej 255.85 kW dhe do të ndërtohen në komunën e Gjakovës, Pejës, Prishtinës, Ferizajt, Malishevës dhe Rahovecit.
Bordi ka shqyrtuar dhe gjashtë (6) ankesa të konsumatorëve si dhe disa çështje të tjera që ndërlidhen me funksionimin e Zyrës së Rregullatorit dhe sektorin e energjisë në përgjithësi.