ZRRE miraton kërkesën KOSTT për transferimin e detyrimeve tek ALPEX
Prishtinë, 10 dhjetor - Bordi i Rregullatorit për Energji, në seancën e mbajtur sot, të dhjetën me radhë për këtë vit ka miratuar kërkesën e Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Operatorit të Tregut (KOSTT) për caktimin/ose transferimin e të drejtave dhe detyrimeve tek ALPEX për organizimin e tregut të energjisë elektrike një ditë përpara dhe gjatë ditës në territorin e Republikës së Kosovës.
Ky vendim vjen si rezultat i nënshkrimit të marrëveshjes së mirëkuptimit për implementimin e projektit të Programit WB6 për integrimin e tregut njëditorë të energjisë elektrike aspo siç quhet ndryshe “Projekti për bashkimin e tregut Shqipëri - Kosovë”.
Po ashtu Bordi, në këtë seancë ka marrë vendim që të ndërpritet aplikimi i Skemës Mbështetëse me Tarifa Nxitëse (Feed-in) për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese për prodhimin e energjisë elektrike nga Burimet e Ripërtritshme të Energjisë (BRE).
Bazë për marrjen e këtij vendimi është përmbyllja e caqeve të prodhimit të energjisë nga BRE deri në fund të vitit 2020 sipas Udhëzimit Administrativ nr. 05/2017 për Caqet e Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë, të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.
ZRRE, në bashkëpunim me institucionet tjera përgjegjëse të Republikës së Kosovës, në pajtim me detyrimet ligjore dhe konkluzionet e Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë, të datës 14 dhjetor 2017, do të ndërmarrë veprime, për zhvillimin e projekteve nga BRE-të për caqet e reja të BRE-ve 2021-2030, përmes formave që ju nënshtrohen procedurave të konkurrencës së lirë, në përputhje me praktikat më të mira që janë në interes të publikut.
Pjesë e shqyrtimit në këtë seancë ka qenë edhe Metodologjia për Llogaritjen e Çmimit Referent për Energjinë e Prodhuar nga Burimet e Ripërtëritshme. Kjo metodologji definon mënyrën e përcaktimit të çmimit referent për energjinë e prodhuar nga BRE-të.
Ky çmim do të aplikohet nga Operatori i Tregut për energjinë e shitur tek Furnizuesit. I njëjti do të aplikohet edhe për shitblerjen e energjisë nga BRE sipas kornizës së rregulluar. Kjo metodologji po ashtu përcakton parimet themelore sipas së cilave do kalkulohet çmimi referent dhe metodën e llogaritjes të këtij çmimi.
Bordi ka miratuar Raportin për vlerësimin e konkurrencës në tregun e energjisë elektrike në Kosovë për periudhën 2018 – 2019. Sipas këtij raporti del se përkundër që deri më tani janë të licencuar 8 (tetë) furnizues, të gjithë konsumatorët e vendit janë furnizuar nga furnizuesi i vetëm aktiv (KESCO).
Me këtë rast, Bordi ka kërkuar që të publikohet version përfundimtar i raportit dhe të kërkohet nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës që të filloi hetimet, në lidhje me pengesat që janë evidentuar në këtë raport për mos funksionimin e tregut të lirë të energjisë elektrike në vend.
Në këtë seancë, Bordi po ashtu i ka shqyrtuar dhe aprovuar Kodin e Shpërndarjes dhe atë të Matjes së energjisë elektrike të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OST), si dhe ka aprovuar Bilancet vjetore për vitin 2021 dhe ato afatgjata (2021 – 2030) të energjisë elektrike dhe energjisë termike.
Janë aprovuar, po ashtu, edhe gjashtë kërkesa për ndërtim të kapaciteteve të reja për vet- konsum të energjisë elektrike nga panelet solare, me një kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 208.52kW.
Si zakonisht në seancat e Bordit, edhe sot, janë shqyrtuar edhe disa ankesa të konsumatorëve si dhe çështje të tjera që ndërlidhen me funksionimin e Zyrës së Rregullatorit.