ZRRE licencon Parkun me Erë “Selac 2”
Prishtinë, 13 dhjetor - Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), ka mbajtur sot seancën e tij të VIII-të me radhë për këtë vit.
Në këtë seancë, Bordi i ZRRE pas shqyrtimit ka marrë vendim që t’i lëshojë Licencën për prodhim të energjisë elektrike nga burimet e ripërtërishme të energjisë, nga Parku me Erë “Selac 2”, ndërmarrjes Sowi Kosovo L.L.C, në kapacitet prej 34.47 MW.
Ndërmarja kosovare-gjermane-izraelite ‘SOWI Kosovo’ ka ndërtuar tashmë tri projekte të prodhimit të energjisë elektrike nga era në komunën e Mitrovicës, me një kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 105 MW. Pas vendimit të sotëm të Bordit, janë dy projekte të kompanisë “Sowi Kosovo” që kanë marrë licenca për prodhim.
Projekti i parë prej 34.47 MW ka filluar prodhimin në tetor të këtij viti. I dyti, apo projekti i licencuar sot, së shpejti do të fillojë prodhimin dhe gjatë këtij muaji po ashtu pritet edhe licencimi i projektit të tretë.
Pjesë e shqyrtimit nga Bordi kanë qenë edhe disa çështje të tjera që ndërlidhen me funksionimin e sektorit si dhe të Zyrës së Rregullatorit për Energji.