ZRRE diskuton për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike
Prishtinë, 17 mars - Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe projekti Repower i USAID do të organizojnë një tryezë të hapur për të diskutuar në lidhje me liberalizimin e tregut të energjisë elektrike në vend.
Aktualisht ZRRE është në fazën e rishikimit të legjislacionit sekondar dhe përshtatjes së tij me ligjet e reja të energjisë, të miratuara nga Kuvendi i Kosovës në qershor 2016.
Korniza e re legjislative paraqet ndërrimet fundamentale në politikën rregullative drejt segmenteve konkurruese në sektorin e energjisë - gjenerimin dhe furnizimin me energji elektrike si dhe sektorin e burimeve të ripërtëritshme.
Më 18 janar 2017, ZRRE ka publikuar Udhëzuesin për hapjen e tregut, një dokument që thekson planet e ZRRE rreth heqjes së tarifave të rregulluara me shumicë dhe pakicë.
ZRRE, me ndihmën e USAID përmes projektit REPOWER, është duke ndryshuar legjislacionin sekondar për ta përshtatur atë me ligjet e reja të energjisë dhe politikat e ZRRE-së të përcaktuara në Udhëzuesin për hapjen e tregut.
Ky proces përfshin azhurnimin e rregullave të çmimeve, përgatitjen e dokumenteve të tenderimit për caktimin e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit, zhvillimin e një rregulle për rregullimin e Shërbimit të Furnizimit Universal si dhe hartimin e draft-licencave dhe Rregullës për licencim për pjesëmarrësit në treg. ZRRE, me mbështetjen e REPOWER, ka prezantuar një Skemë Mbështetëse në përputhje me tregun përmes Fondit për Energjinë e Ripërtëritshme dhe ka zhvilluar shabllonët e Marrëveshjeve për Blerje të Energjisë që do të ndihmojnë në përmirësimin e përshtatshmërisë së financimit nga bankat të projekteve të BRE-ve.
ZRRE poashtu po mundohet të riorganizoj dhe shtyj përpara procesin e licencimit të BRE-ve përmes një draft-Rregulle të re për procedurën e autorizimit.
I gjithë ky proces i është nënshtruar procedurave të diskutimit publik dhe me qëllim të rritjes së transparencës dhe përfshirjes së publikut të gjerë, ZRRE, me mbështetjen e REPOWER, do të mbajnë një Tryezë të hapur qe do te mbahet sot.
Temat kryesore të punëtorisë do të jenë: Udhëzimet e ZRRE-së për hapjen e tregut; Parimet kryesorë të Shërbimit të Furnizimit Universal dhe Furnizuesit të Mundësisë së Fundit; Parimet kryesore të Rregullës për licencim dhe shabllonët e licencave dhe Korniza e re e BRE-ve- Fondi i BRE-ve dhe draft-MBE-të e BRE-ve.