ZRRE aprovon të Hyrat e Lejuara Maksimale për KOSTT, KEDS dhe KESCO
Prishtinë, 8 tetor - Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka mbajtur seancën e tij të tretë (III) për këtë vit.
Në këtë seancë është marrë vendim që t’i vazhdohet operatorit të Furnizimit KESCO, Obligimi për Furnizim me Shërbim Universal të konsumatorëve deri me 31 mars 2022.
Vendimi për vënien e këtij obligimi është marrë për bazë obligimeve ligjore të Nenit 51 të Ligjit për Rregullatorin për Energji, dispozitat e Nenit 5, 33 dhe 37 të Ligjit për Energjinë Elektrike, dispozitat ligjore të Nenit 5 dhe 6 Rregullës për vendosjen e të hyrave për furnizuesin me shërbim universal, si dhe obligimet që rrjedhin nga kriteret për vlerësimin e konkurrencës në furnizim me energji elektrike ku përfshihen edhe rezultatet e indeksit për matjen e konkurrencës “Herfindahl Hirschman”.
Gjithashtu, Bordi ka aprovuar të Hyrat e Lejuara Maksimale për operatorët e rregulluar (Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut/KOSTT; Operatori i Sistemit të Shpërndarjes/KEDS dhe Operatori për Furnizim me Shërbim Universal FSHU/KESCO).
Të Hyrat e Lejuara Maksimale për Furnizuesin me Shërbim Universal FSHU/KESCO janë aprovuar në vlerë prej 290.1 milion€, për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut/KOSTT janë aprovuar në vlerë prej 38.94mil€, për Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes/KEDS janë aprovuar në vlerë prej 90.51mil€. Këto të hyra do t’u mundësojnë operatorëve kryerjen e funksioneve të operimit në kushte optimale.
Me aprovimin e këtyre të hyrave, ZRRE ndër të tjera ka marrë në konsideratë edhe rritjen e çmimeve të importit të cilat janë jashtë kontrollit të operatorëve.
Megjithatë rritja e të hyrave, si rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, ka neutralizuar kostot e përgjithshme të furnizimit me energji elektrike, prandaj të hyrat e lejuara nuk do të reflektojnë ngritje të çmimeve të energjisë elektrike për konsumatorët fundor në vitin tarifor 2021.
Në këtë seancë janë shqyrtuar edhe kërkesat, për shtyrje të afatit të Autorizimit Final për ndërtim të kapaciteteve të reja, të kompanive “AFA ENERGY” SH.P.K dhe “2KORRIKU”SH.P. K., për të cilat Bordi ka vendosur që t’i refuzoj për shkak se kanë skaduar të gjitha afatet e parapara me Rregullën për Procedurën e Autorizimit për ndërtimin e kapaciteteve të reja të energjisë.
Bordi gjithashtu ka shqyrtuar raportin e monitorimit për shitjet e energjisë elektrike nga Hidrocentrali “Ujman” me ç ‘rast ka vendosur që të gjeturat nga ky raport t’i dërgohen si njoftim këtij operatori dhe në seancën e ardhshme të procedohen në përputhje me ligjet dhe Rregullën për masa dhe gjoba administrative.
Janë shqyrtuar po ashtu edhe disa ankesa të konsumatorëve si dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me menaxhimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji.