ZRRE aprovon Rregullën për integritetin dhe transparencën e tregut të energjisë
Prishtinë, 23 qershor - Bordi i Rregullatorit për Energji, ka mbajtur sot seancën e tij të katërt (IV) për këtë vit.
Si pikë të parë Bordi ka aprovuar Rregullën për integritetin dhe transparencën e tregut të energjisë me shumicë (REMIT).
Kjo rregull, cila do të zbatohet nga Rregullatori i Energjisë, përcakton kriteret që ndalojnë praktikat abuzive të cilat ndikojnë në tregjet e energjisë me shumicë, dhe parashikon po ashtu monitorimin e tregjeve të energjisë me shumicë në vend.
Aprovim i kësaj rregulle dëshmon rëndësinë që Rregullatori i kushton tregut konkurrues, dhe nevojës për të siguruar integritetin e këtij tregu, bazuar në Acquit e Bashkimit Evropian.
Bordi gjithashtu ka miratuar amandamentet e “Rregullës dhe Metodologjisë për përgatitjen e Bilanceve të Energjisë Elektrike dhe Termike”. Kjo rregull përcakton parimet, procedurat dhe metodologjitë për përgatitjen e Bilanceve të Energjisë Elektrike dhe Termike.
Me anë të kësaj rregulle sigurohet që operatorët, të cilët veprojnë në sektorin e energjisë, paraqesin sipas afateve të parapara planet e tyre të prodhimit, konsumit dhe humbjeve, duke mundësuar operimin sa më efikas të sistemeve përkatëse të energjisë.
Për shkak të ndryshimeve të shkaktuara në parashikimet e rrjedhave të energjisë, të paraqitura në Bilancin e këtij viti, si pasojë e pandemisë së shkaktuar nga virusi COVID 19, Bordi në këtë seancë ka rishqyrtuar Bilancin e energjisë elektrike duke e përshtatur me rrethanat e krijuara pas masave të ndërmarra nga operatorët me qëllim të furnizimit të rregullt me energji elektrike.
Gjithashtu si rezultat i ndryshimeve në bilancet e energjisë, Bordi ka rishikuar dhe aprovuar edhe Koeficientet e Operatorit të Shpërndarjes për nominimin e humbjeve për vitin 2020.
Duke qenë se, pjesë e rregullimit të tregut transparent të energjisë është edhe Procedura e rregullave të tregut për korrigjimin e matjeve edhe kjo rregull i është nënshtruar sot rishqyrtimit dhe aprovimit nga Bordi.
Bordi po ashtu sot ka miratuar Raportin e Derogimeve të Kodit të Rrjetit, Rregullave të Tregut dhe Licencës së Operatorit të Sistemit të Transmetimit. Këto derogime do t’i mundësojnë Operatorit të Sistemit të Transmetimit që të përmbushë kërkesat që nuk ka arritur ti përmbushë deri në kohën e anëtarësimit në ENTSO-E.
Në seancën e sotme është aprovuar edhe kërkesa për Licencë për Furnizim me shumicë (tregtim) me energji elektrike e shoqërisë Balkan Energy L.L.C si dhe janë lëshuar katër (4) autorizime për ndërtim të gjeneratorëve për vet-konsum me kapacitet të instaluar prej 119.62 kW.
Bordi ka shqyrtuar edhe një numër të ankesave të konsumatorëve si dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me rregullimin e sektorit dhe menaxhimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji.