ZRRE akuzon KEK-un për rritje artificiale të humbjeve
Prishtinë, 27 shkurt - Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka kontestuar humbjet prej afro 50 për qind të energjisë së prodhuar për muajin dhjetor të vitit të kaluar, të prezantuara nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).
Për ZRRE-në humbjet e muajit dhjetor janë joreale dhe ato janë rritur artificialisht.
Sipas një raporti të hartuar nga ekspertët e ZRRE-së, KEK-u e ka raportuar si humbje energjinë të cilën ia kishte faturuar konsumatorëve, shkruan Koha Ditore.
Gjatë vitit të kaluar niveli i humbjeve të faturuara ka qenë 30.4 për qind. Ky nivel i humbjeve është më i ulët se niveli i humbjeve që KEK-u ka realizuar gjatë vitit 2012.