Zëvendësministrja Gashi në konferencën ndërkombëtare në Bullgari
Prishtinë, 18 maj - Zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj-Gashi me ftesë të Zyrës së Ballkanit për Asistencë në Sofje, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare me temën Përkrahja politike për ndërmarrjet që startojnë dhe për sipërmarrësit e rinj, e organizuar nga Zyra e Ballkanit për Asistencë për dhjetë vendet e rajonit përfshirë Kosovën.
Në këtë konferencë ishin të pranishëm përfaqësues të Qeverisë së Bullgarisë, Maqedonisë, Shqipërisë, Serbisë, Bosnje e Hercegovinës dhe nga Mali i Zi, si dhe përfaqësues të Odave Ekonomike, Shoqatave të Biznesit.
Zëvendësministrja Zogaj-Gashi floli për ekonominë e Kosovës, politikat stimuluese që po ndërmerr Qeveria e Republikës së Kosovës në adoptimin e politikave stimuluese në mënyrë që të krijojë një ekosistem të përshtatshëm që do të ndihmojë në fuqizimin e NVM-ve.
Qeveria e Kosovës ka hartuar dhe aprovuar dokumente të rëndësishme strategjike, si: Strategjia Kombëtare për Zhvillim Ekonomik 2016-2021; Programi i Reformave Ekonomike; Plani për Zbatimin e MSA-së 2016-2020 dhe janë duke draftuar Strategjinë për NVM-të 2017-2020, në të cilat dokumente zhvillimi dhe fuqizimi i NVM-ve zë një vend parësor, tha ajo.
Zogaj-Gashi shtoi po ashtu se Qeveria e Kosovës po punon me intensitet të lartë në sigurimin me furnizim të qëndrueshëm dhe stabil me energji elektrike, e cila është përcjell me vite si një ndër barrierat e të bërit biznes, përmirësimi i infrastrukturës fizike (rrugore dhe hekurudhore), përmirësimi i infrastrukturës dhe asaj të cilësisë (zona ekonomike dhe parqe të biznesit), zbatimin e një numri të gjerë të reformave, të cilat mbulojnë një gamë të gjerë të aktiviteteve dhe masave në të cilat janë shënuar rezultate të mira, si: përmirësimi i legjislacionit, lejeve licencave; përmirësimi dhe mënjanimi i barrierave administrative dhe atyre tregtare, liberalizimi i importit për makineritë dhe linjat prodhuese dhe pajiset e sektorit të TIK, lehtësimi i qasjes në financa për NVM-së përmes themelimit të Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive, thellimi i dialogut publik - privat, rritja e efikasitet të administratës, qeverisja elektronike, draftimi i udhëzimit Administrativ për lirimet tatimore 1 deri 6 vite për biznese varësisht nga shuma e investimit dhe numërim të punëtorëve të punësuar etj.
Zëvendësministrja, gjithashtu foli për sektorin e TIK dhe Efiçiencën e Energjisë, projektet të cilat janë duke u implementuar në këta dy sektorë.
Ndryshe, në kuadër të vizitës në Bullgari, zëvendësministrja së bashku me përfaqësuesin e Odës Ekonomike të Kosovës, Afrim Tejeci vizituan Ambasadën e Republikës së Kosovës në Republikën e Bullgarisë, ku u pritën nga Ambasadori Shpend Kallaba dhe Sekretarja e Parë znj. Bubulina Krasniqi.