Zbulohet naftë në Shqipëri
Tiranë, 20 dhjetor - Rezultatet pozitive në kërkimin e naftës dhe gazit në zonën e Shpiragut në qarkun e Beratit, kanë hapur perspektiva reale për kërkimin në vijim në këtë varg strukturor nga Molishti-1 më në Jug si dhe breza të tjerë me modele gjeologjike të ngjashëm.
AKBN njoftoi sot se pas 4 vjet kërkime në Blloqet Shpiragu 2 dhe 3, kompania Royal Dutch Shell Plc. dhe kompania Petromanas Energy Inc. njoftuan rezultatet pozitive të testit të pusit Shpiragu-2. Ky zbulim materializon punën dhe përpjekjet e kompanive që kanë punuar për kërkim nafte dhe gazi në këtë strukturë karbonatike.
Zbulimi në Shpirag erdhi pas disa operacione kërkimi të kryer nga specialistët shqiptarë të naftës në vitet 80-90 dhe ato që kishte kryer kompania \"Occidental Petroleum Corporation\" në vitet 2000-2005.
Testi në Shpirag ka nxjerrë debite nafte që luhaten nga 800-1300 fuçi/ditë naftë dhe 55 000-140 000 Nm3 gaz shoqërues, që duke ekuivalentuar sasinë e gazit në naftë debitet totale luhaten 1500-2200 fuçi/ditë.
Pozitiv është cilësia mjaft e lirë e naftës së zbuluar, pasi është naftë e lehtë (35 deri 37 gradë API, ose 0.823-0.832 gr/cm3), me përmbajtje të ulët të H2S (deri 6000 ppm ose 0.6%) dhe pa përmbajtje uji.
Kompanitë \"Royal Dutch Shell\" Plc. dhe \"Petromanas Energy\" Inc po kryejnë një program ambicioz kërkimi në Blloqet 2 dhe 3.
Ato janë duke shpuar më në jug të Shpiragut pusin Molishti-1, që parashikohet të shpohet deri në thellësinë 5500 m, janë duke përfunduar 450 km punime sizmike 2D, pas të cilave, do të jepet një tabllo më e qartë e ndërtimit gjeologjik të rajonit.