Zahaqi përfiton nga Master Plani i KEDS-it
Vendosja e shtyllave të reja elektrike, heqja e shtyllave të tensionit të lartë, të cilat po zëvendësohet me shtrirje të kabllove nëntokësorë, përveç sigurimit të furnizmit më stabil me energji, do të rrisin edhe sigurinë për ekonomitë familjare dhe biznesore të Zahaqit.
Viktor Buzhala zëdhënës i KEDS-it tha se në këtë lokalitet janë shtrirë tri kilometra kabllo nëntokësor.
Ne i jemi përgjigjur këtij projekti. Përfitimet janë të mëdha për konsumatorin. Së pari me shtrirjen e rrjetit nëntokësor rritet siguria dhe poashtu tensioni do të vie kualitativ dhe stabil në këtë zonë të gjërë, tha Buzhala.
Duke qenë në hyrje të qytetit, Zahaqi njihet edhe si zonë industriale e Pejës, meqë në këto anë kanë shtrirje edhe disa biznese të mëdha dhe fabrika. Nisur nga kjo edhe investimi që KEDS po e bënë këtu është i mirëpritur.
Blerim Nikqi banor i zonës dhe njëherit Asambleist i Kuvendit Komunal të Pejës, zhvillimin e punimeve në Zahaq nga ana e KEDS-it e vlerëson lartë. Ai thotë se investimi nga KEDS ishte mëse i domosdoshëm.
Infrastruktura energjetike, rrjeti elektrik i vjetëruar vërtet kanë bërë që shpesh herë të ketë rënie tensioni, ndërprerje të paplanifikuara të energjisë dhe rreziku nga ekspozimi i qytetarëve ka qenë jo i vogël, tha Nikqi.
Sipas tij me zhvillimin e këtij projekti tashmë kanë filluar të shihen përmirësimet në këtë aspekt.
Operatorët që shihen këtu, këta të KEDS-it, me dinamikën e tyre, janë për çdo lavdatë. Përgëzojmë KEDS-in për këtë renovim të rrjetit elektrik në fshatrat e lugut të Leshanit dhe kërkojme që ky renovim të vazhdohet edhe në brendësi të fshatrave, tha Nikqi.
Kësaj kërkese i është përgjigjur zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala, i cili konfirmon se punët e deritanishme në këtë anë, i takojnë vetëm fazës së parë të investimeve të planifikuara nga Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike.
Deri më tani janë shtrirë tre kilometra kabllo nëntokësor dhe kjo i takon vetëm fazës së parë, përfundon Buzhala.
Rreth 300 milion EURO do të investojë KEDS gjithandej Kosovës në një master plan disa vjeçar. Plani Zhvillimor i Shpërndarjes së Energjisë parasheh që deri në vitin 2025 Kosova të ketë një rrjet modern të energjisë elektrike, të krahasueshëm me shtetet e zhvilluara.