VV kundër deponisë për mbetjet radioaktive
Prishtinë, 20 korrik - Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Obiliq kundërshton projektin e BE-së: (Ndihma Evropiane/133749/C/SERXK, me numër të kontratës 2013/330-096) që parasheh ndërtimin e një deponie në Komunën e Kastriotit ku do të mblidheshin të gjitha mbetjet e materialeve radioaktive që gjinden në Republikën e Kosovës.
Ditë më parë, këtë kundërshtim e kemi shprehur edhe në Kuvendin Komunal të Kastriotit, ku bashkërisht me asamblistët e subjekteve tjera kemi votuar kundër këtij projekti.
\"Ne konsiderojmë që vetë nisma e këtij projekti përveç se cenon të drejtën themelore për jetë të banorëve të Kastriotit, e nënvlerëson edhe vetëdijen e tyre; thuajse këta të fundit nuk e kanë problem që jetojnë të rrethuar nga të katër anët me kodra hiri që vijnë nga KEK-u; me deponinë e mbeturinave në Mirash që përbën një bombë ekologjike apo me mbetjet radioaktive të metaleve nga Trepça që janë vendosur para gati katër viteve në Llazarevë\", thekson VV.
Ky projekt është i papranueshëm, siç është e papranueshme neglizhenca e Komunës së Kastriotit në këtë drejtim dhe heshtja e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinorë. Ne kërkojmë nga Komuna e Kastriotit të jetë më aktive në kundërshtimin e këtij projekti, si dhe kërkojmë nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinorë të ndërmarr masa ndaj deponive në Mirash dhe Llazarevë si dhe ta kundërshtojë projektin për ndërtimin e një deponie të re.
Qytetarët e Kastriotit nuk kanë nevojë për një Komunë që mbjellë fidanë mbi deponi dhe as për një Ministri të Ambientit që ua përmbledhë të gjitha mbetjet radioaktive të vendit në Komunë.
Qytetarët e Kastriotit kanë nevojë për atë që është më njerëzore: kushte minimale për zhvillimin e jetës dhe nëse për këto kushte minimale Komuna dhe Ministria vazhdojnë të jenë neglizhente atëherë Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! bashkërisht me qytetarë do të organizohen kundër këtyre projekteve.