26 Dhjetor 2024

VV: Ish qeveria s\'ka mandat të marrë vendime për TC Kosova e Re

Prishtinë, 22 korrik - Komiteti drejtues i projektit të TC “Kosova e Re” njoftoi sot se, me kërkesë të investitorëve, do ta shtyjnë afatin e dorëzimit të ofertave në tenderin për ndërtimin e këtij Termocentrali deri më 15 shtator.

Pas nënshkrimit të kontratës me Konsorciumin Bechtel dhe Enka, kjo qeveri në ikje deri në moskthim, vazhdon të marrë vendime për çështjet e rëndësisë strategjike për vendin, vendime këto të cilat as një qeveri fuqiplotë nuk do të duhej t’i ndërmerrte pa e arritur konsensusin mbarëshoqëror.

Dhe prapë sikur me autostradën për Shkup, kjo qeveri në ikje po e shfrytëzon orientimin e opinionit publik drejt zhvillimeve tjera politike për t’i kontrabanduar në heshtje vendimet e veta të dëmshme për të ardhmen e vendit.

Lëvizja VETËVENDOSJE! e kundërshton këtë projekt termocentrali, ndërtimi i të cilit bëhet kryekëput në kapital privat.

Strategjia për energji dhe politikat e saj duhet të kenë qasje shumë më serioze se sa kjo që e kemi parë nga qeveria në ikje, apo cilado qeveri e pas luftës. Qasja karshi sektorit të energji duhet të jetë gjithëpërfshirëse, e jo kështu e parcializuar duke u bazuar në interesat partikulare herë të qeveritarëve e herë të investitorëve.

Republika e Kosovës duhet ta zhvillojë sektorin e energjisë dhe ta vendos atë në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe sipas parimeve të tij.

Ky zhvillim do të sigurojë shfrytëzimin racional të resurseve energjetike, ofrimin e shërbimeve energjetike të cilësisë së lartë e me kosto të ulët, rritje e zbatim të programeve të efiçiencës dhe sigurisë së furnizimit, duke marrë parasysh kujdesin për mjedisin.

Ngritja e kapaciteteve gjeneruese në bazë të linjitit, duhet të shoqërohet me ndërtimin e shfrytëzimin maksimal të burimeve të ripërtërishme, ku planifikimi i detajuar i kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme do t’i paraprijë vendimit për shtimit e termo-kapaciteteve. Investimet prioritare duhet të bëhen sipas parimit të rritjes së sigurisë së sistemit dhe zvogëlimin e humbjeve teknike e komerciale.

I tërë ky proces i tenderimit për kapacitetet e reja gjeneruese të energjisë elektrike ka qenë i përcjellë me shkelje të shumta dhe mungesë transparence. TC Kosova e Re, në mënyrën siç është konceptuar së fundi, bie ndesh me Strategjinë për Energji dhe vendimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Projekti është ndryshuar disa herë në dizajn. Komiteti drejtues asnjëherë nuk i ka publikuar termat e referencës për të treguar se çfarë teknologjie kërkojnë që të përdoret në termocentralin e ri. Cila do të jetë kostoja e prodhimit të energjisë në këtë termocentral dhe rrjedhimisht cili do të jetë efekti i tij në çmimin e energjisë për qytetarët e vendit?

Cilat janë planet për zhvendosjen e popullatës nga kjo pjesë e Kosovës ku do të ndërtohet termocentrali dhe nga sipërfaqja e minierës së linjitit, etj? Gjatë procesit të parakualifikimit ka pasur shumë lëvizje të të interesuarve, disa duke hequr dorë fare e të tjerët duke krijuar konsorciume të reja.

Tash së fundi është tejet e paqartë se sa kompani kanë mbetur të interesuara. Në procesin e privatizimit të KEDS-it në fund u bë e qartë që ka pasur realisht vetëm një ofertues, pasi që kompania tjetër ishte aty vetëm sa për ta përmbushur kushtin themelor të dy ofertuesve. E njëjta gjë pak a shumë ka ndodhur edhe në procesin e dështuar të privatizimit të PTK-së.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)