Viti kaluar solli 11 projekte energjetike në Gjilan
Gjilan, 5 prill - Rruga e Bujanocit, Rruga Qarkore, Veleknica, 28 Nëntori, janë vetëm disa nga projektet e përfunduara investive në rrjetin elektrik të komunës së Gjilanit.
Problemet e Gjilanit me energji për shkak të rrjetit të stërvjetëruar ishin të kahmotshme. Kështu deklaron numri një i kësaj komune, Lutfi Haziri.
Mund të themi se KEDS gjatë vitit 2016 ka realizuar 11 projekte në komunën e Gjilanit që përfshijnë vendosjen e trafove të reja, investime në rrjetin e tensionit të ulët dhe të tensionit të mesëm, siç janë: në Kuvcë, te tregu i automjeteve, në fshatin Velekincë, në Livoq të Ulët, në rrugën Gjilan Bujanoc, sikurse edhe investime të tjera në Shillovë të Muhaxherëve, Përlepnicë, Livoq i Epërm etj, thotë Haziri.
Ai kërkon që investime të tilla të vazhdojnë meqë kërkesat e qytetarëve janë të mëdha.
Kemi qindra raste kur qytetarët i drejtohen Komunës së Gjilanit me kërkesa për ndërrim të rrjetit të tensionit të lartë, zhvendosje të rrjetit për shkak të rrezikshmërisë, thotë i pari i Gjilanit.
Haziri potencon edhe bashkëpunimin e mirë që Komuna ka me Kompaninë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike KEDS.
Ne kemi pasur bashkëpunim gjatë realizimit të projekteve të Komunës që i kemi bërë në infrastrukturë publike. Natyrisht, presim nga menaxhmenti i KEDS-it që do të bëjë investimet e domosdoshme sepse është obligim i tyre që tua përmbushin nevojat qytetarëve, thotë kryetari i Gjilanit.
Sipas tij Gjilani dhe Anamorava ka nevojë urgjente për investime të mëdha në rrjet.
Kemi disa projekte në periudhën afatmesme në renovime dhe rindërtime të rrjetit, që kapin shumën e miliona eurove. Gjilanasit janë pagues të rregullt dhe meritojnë prioritet, thotë Haziri.
Krejt këto investime kanë ndikimin parësor në kualitetin dhe stabilitetin e furnizimin për ekonomitë familjare ndërsa minimizon ekspozimin ndaj rrezikshmërisë.
Investimet ndikojnë drejtpërdrejt në furnizimin me tension stabil e kualitativ ndërsa që teknologjia e vënë është e standardeve më të larta europiane të kohës, thonë në KEDS.