Vetëvendosje: Tenderi për Kosovën e Re - zhvatja e radhës
Prishtinë, 9 shkurt - Qeveria e Republikës së Kosovës tash së voni e ka hapur ofertën në ndërtimin e TEC-it \"Kosova e Re\" nëpërmjet tenderit që rezultoi të jetë një burimor.
Komiteti për Energjetikë i Lëvizjes Vetëvendosje! vlerëson se që prej atij momenti asnjë informatë zyrtarisht nuk është publikuar nga Qeveria. Fakt që po ashtu përbën shkelje edhe pse në këtë projekt nuk duket të jetë gjëja më e dëmshme.
Nga çfarë është kuptuar deri më tani sipas Veteëvendosjes projekti \"Kosova e Re\" do të jetë plotësisht në pronësi private duke përjashtuar tërësisht interesin publik të Kosovës nga një projekt madhor që pritet të ndërtohet në Kosovë.
Përfitimet e vetme pritet të ketë Kosova sipas këtij projekti janë tatimet, tantiemat si dhe të punësuarit që me gjithë rëndësinë janë shumë pak krahasuar me përfitimet që do të vinin nga një TEC në pronësi publike apo publiko-private.
Vetevëndosje thekson qe sipas këtij projekti thëngjilli i Kosovës, toka, uji e ajri do të shfrytëzohen për përfitime private, ndërsa publikut do ti bie barra për sanimin e mjedisit, shërimin e sëmundjeve që shkaktohen nga ndotja dhe varfërimin e mëtejmë nga humbja e një potenciali të madh për nxitje të zhvillimit ekonomik.
Është raportuar që i tërë projekti do të kushtojë afërsisht 1 miliard dollarë, çmim ky që do të duhej ta mbulonte instalimin e dy njësive gjeneruese të cilat bashkë do të prodhonin energji elektrike prej 600 MWh. Ky çmim është shumë më i lartë se sa ato të projektuara më parë, sipas të cilave llogaritej se një MWh orë e instaluar kushton afërsisht 1 milion dollarë.
Por këtë çmim nuk mund ta masim sepse nuk ka ofertë tjetër. Në këtë drejtim nuk mund të ketë krahasim me ofertat tjera të mundshme meqenëse ato nuk ekzistojnë. Mungesa e kësaj mundësie krahasuese na e pamundëson ta kuptojmë nëse ky është çmimi real i kostos së projektit, por edhe nëse kjo është cilësia më e mirë e ndërtimit dhe e teknologjisë së instaluar.
Për më tepër kjo kosto e ndërtimit të TEC-it \"Kosova e Re\" do të ndikojë drejtpërdrejt në çmimin e prodhimit të energjisë elektrike që si pasojë do ta ndikojë më pas tarifën e energjisë elektrike që paguan ekonomia e Kosovës dhe konsumatori i fundmë, qytetari i Kosovës.
Ndërtimi i këtij TEC-i në pronësi 100% publike do ta vendoste \"Kosovën e Re\" në një pozitë të favorshme kontrolli dhe kushtëzimi ndaj furnizimit dhe kostos së furnizimit me energji elektrike për ekonominë vendore, duke qenë se për një afat të gjatë do të ishte kompania kryesore në gjenerimin e energjisë elektrike.
Ashtu siç e vendos tenderi një burimor në pozitë jashtëzakonisht kushtëzuese. Sikur me Bechtel-Enkën, në raste të tilla është kompania (konkretisht \"Contour Global\") ajo që i përcakton kushtet e kontratës ndërkohë që institucioni publik vendoset në pozitën e të kapitulluarit dhe i pranon të gjitha kushtet.
\"Republika e Kosovës e ka të domosdoshme që të investojë në burimet e energjisë në mënyrë që ti shfrytëzojë resurset e veta energjetike për të ndërtuar përparësi krahasuese për industrinë e vet. Kjo bëhet duke e kuptuar energjinë si infrastrukturë zhvillimi, e jo vetëm si mall për shitje. Euforia privatizuese dhe shkatërruese e publikes po e shndërron çdo gjë në mall\".
\"Kështu, mund të rritet potenciali përfitues për kompani të veçanta, por po shkatërrohet mundësia e zhvillimit të një ekonomie prodhuese në shkallë, që do ti zëvendësonte importet e rriste eksportet. Pa të nuk ka rritje të vendeve të punës. Rrjedhimisht nuk ka rritje të mirëqenies për qytetarët. Dhe mu këtyre qytetarëve pa mirëqenie politikat e tilla po ua shtrenjtojnë edhe çmimin e energjisë elektrike\", thekson Vetëvendosje.