Vetëvendosje: Privatizimi i distribucionit, monopol privat
Prishtinë, 5 qershor - Lëvizja Vetëvendosje! e ka denoncuar privatizimin e distribucionit të KEK-ut duke e quajtur si një nga krimet ekonomike më të mëdha që po kryhen ndaj popullit të Kosovës.
Kalimi i pronësisë, prej asaj publike tek ajo private, në rastin e privatizimit të distribucionit sipas Vetëvendosjes do të thotë kalim i monopolit prej duarve të shoqërisë, në duar të privatit.
E një monopol privat sipas tyre vetëm do ta dëmtojë e do ta rëndojë edhe më tej gjendjen ekonomike të shoqërisë e të shtetit në Kosovë.
\"Ky rast i privatizimit është kriminal që prej fillimit. Ai po ndodh me gjithë kundërshtimet e qytetarëve, e sidomos të punëtorëve të KEK, vetëm me këmbënguljen e Qeverisë Thaçi.\"
Qeveria sipas Vetëvendosjes dëshiron ti përdorë paratë e fituara prej privatizimit të distribucionit të KEK për të dalë nga situata e vështirë buxhetore ku e ka futur veten, por populli nuk është i gatshëm të shpronësohet për faj të qeverisë.
\"Nëse humbjet e energjisë elektrike janë të mëdha sepse mungon shteti ligjor, si është e mundur atëherë që i njëjti shtet ligjor i cili nuk funksionoi për vete do të funksionojë për të mbajtur nën kontroll monopolin privat? Nëse ky shtet është deficient dhe i korruptuar, ai është i tillë pikërisht sepse vendos interesat private e personale përmbi interesat publike e shoqërore. Pra çfarë shteti është ai i cili kur është fjala për ta ruajtur e mirëmbajtur pasurinë publike nuk funksionon, ndërkaq pretendon se funksionon për mrekulli kur duhen shpronësuar qytetarët e vet e kur i duhet shërbyer korporatave të huaja. Ky është shteti vegël e kapitalizmit neoliberal, shteti paradoksal i kësaj qeverie\", thuhet në reagimin e kësaj lëvizje.
Lëvizja Vetëvendosje! do të angazhohet me gjithë kapacitetet e saj që mos të lejojë privatizimin e kësaj ndërmarrjeje publike që është me interes jetik për vendin.
\"Do të përdorim të gjitha mjetet, institucionale dh joinstitucionale për ta mbrojtur këtë sektor të rëndësishëm të energjisë nga kthetrat e klasës politike shpronësuese. Nuk do të lejojmë që gjithë sistemi i shpërndarjes së rrymës, i ndërtuar me djersën e dy brezave të punëtorëve të kalojë në duart e huaja, vetëm për të mbuluar mungesat buxhetore të shkaktuara nga teket e pushtetit të papërgjegjshëm të Qeverisë së Hashim Thaçit. Ne do ta mbrojmë distribucionin nga privatizimi me çdo kusht!\"