Vetëvendosje padit ZRRE-në për vendimin e tarifave nxitëse
Prishtinë, 24 dhjetor - Anëtari i Kryesisë Sami Kurteshi dhe aktivisti Getoar Mjeku, në cilësinë e përfaqësuesit ligjor, dorëzuan në Gjykatën themelore padi ndaj vendimit të ZRRE-së për shtimin e kapaciteteve me tarifa nxitëse për sistemet solare fotovoltaike, me ç'rast kanë kërkuar pezullimin e këtij vendimi deri sa kjo çështje të shqyrtohet nga Gjykata.
Lëvizja Vetëvendosje Komiteti për Energjitikë, Grupi parlamentar, kanë reaguar e sqaruar disa herë lidhur me dëmet që janë duke u bërë interesit publik nga këto skema.
Kujt po i jipen favore dhe liçenca për burimet e ripërtëritshme të energjisë?
Kurteshi ka thënë se më 27 nëntor 2019, teksa në Kosovë ishte shpallur ditë zie për viktimat e tërmetit në rajonin e Durrësit, Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë pasi që e shtoi në mënyrë të paparalajmëruar, gati klandestine, si pikë të rendit të ditës, mori vendim për një skemë të re mbështetëse me tarifa nxitëse, duke u garantuar disa prodhuesve të paracaktuar të energjisë së ripërtërishme blerjen e energjisë me çmim shumë më të lartë se vlera e tregut. Ky vendim nuk përmban arsyetim.
Të njëjtin vendim sipas Kurteshit ZRRE e pati marrë edhe në 2016 me një çmim edhe më të lartë se tash, 136.4 euro për MWh që u paguhet për 10 vite dhe mbi 50% të tyre një grupi financiar, Devollit.
Por nuk u mjaftoi kjo, e përsëritën duke e zgjeruar në 20 MW dhe me tarifën nxitëse 85.5 euro për MWh, për 12 vite, tash mbi 60% të njëjtit grup financiar.
"Këto skema të tarifave nxitëse i kanë tre detyrime për shtetin dhe qytetarët, energjinë elektrike të prodhuar duhet t’u blihet 100%, kohëzgjatja 12 vjeçare e këtyre pagesave, me çmimin prej 85.5 euro për MWh."
"Energjia elektrike e prodhuar nga KEK kushton rreth 28 euro për MWh, dhe mesatarja e çmimit të energjisë në Kosovë shkon rreth 36 euro për MWh përfshirë importin dhe të gjithë burimet e ripërtëritshme. Kjo shtesë që buron nga këto skema nxitëse përfundimisht paguhet nga faturat e energjisë elektrikë të konsumatorëve. Pra nga të gjithë ne", ka theksuar Kurteshi.
Kosova sipas tij e ka shlyer detyrimin për kuotën e 25% për të gjitha burimet e ripërtëritshme, të vendosur nga Traktati për Energjinë më 2006. Nuk ka aktualisht asnjë ligj që e lejon cilëndo institucion të vjelë nga faturat e qytetarëve para të tjera për t’ia dhënë cilësdo kompanie private, pavarësisht a është për panele fotovoltaike, e me erë apo minihidrocentrale.
Kushtetuta mbron barazinë para ligjit, pronën, konkurrencën dhe konsumatorin.
Marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara detyrojnë Kosovën të zbatojnë legjislacionin e BE-së për energjinë, konkurrencën dhe ndihmën shtetërore. Normat e BE-së parashohin që përfituesit e ndihmës për energjinë të përzgjedhen me metoda të tregut të lirë (ankand ose ofertime konkurruese) dhe që ndihma të mënjanohet nga viti 2020.
Vendimi i marrë nga ZRRE me 27 nëntor duke caktuar tarifa nxitëse nuk ka bazë ligjore dhe përbën shkelje të rëndë të ligjeve në fuqi, cenon shtetin e së drejtës dhe përligj haraçin që qytetarët janë shtrënguar t'ua paguajnë monopolistëve oligarkik.